Nënë e bijë, së bashku në kabinën e avionit, frymëzim për gratë

Share

Donna Garrett, e rritur në Los Anxhelos, është vajza e dy prindërve pilotë, që i janë kushtuar gjatë gjithë jetës këtij profesion. Në fakt, nëna e saj, Suzy Garrett, është një nga pilotet e para femra për kompaninë rajonale amerikane, SkyWest. Në fëmijërinë e saj, Donna e shihte punën e prindërve si diçka shumë të mërzitshme, por me kalimin e kohës, ajo filloi të frymëzohej nga pasioni i prindërve, e sidomos nga liria që ata gëzonin për të eksploruar botën, e për këtë vendosi të ndiqte karrierën në fluturim.

Në shtator 2019, Donna nisi të operojë në një aeroplan së bashku me Suzy-n, duke u bërë ekipi i parë pilot, nënë dhe vajzë. Fluturimi i tyre i parë ndodhi rreth një vit më parë, por vetëm javët e fundit, historia e Donna-s dhe Suzy-t u bë befas virale. Fotot nënë e bijë, duke buzëqeshur me krenari në kabinën e avionit, u përhapën me shpejtësi në të gjitha mediat sociale.

“Ne e dinim që ishte me të vërtetë diçka e veçantë”, shprehet Suzy, teksa kujton reagimin e të gjithëve, si një nga ndjesitë më të mira që ka përjetuar gjatë përvojës së saj të punës. E befasuar, Suzy tregon me shaka se këto kohë ka bërë më shumë fotografi sesa në dasmën e saj. Pasagjerët, stjuardesat, por dhe njerëz të tjerë vijnë dhe shprehin dëshirën për të bërë fotografi me ne dhe kjo padyshim tregon se mbështetja është vërtet e madhe”, thotë ajo.

Dyshja, nënë e bijë, kishin shpresuar të përsërisnin përvojën e tyre në një fluturim së bashku edhe në vitin 2020, por planet e tyre u ndalën nga pandemia e Covid-19. Tani për tani, Suzy është në Los Anxhelos dhe Donna në Çikago dhe si shumë familje, ata nuk kanë qenë në gjendje të kalojnë shumë kohë së bashku këtë vit.

Imazhi i tyre që ndanin një kuvertë fluturimi padyshim u pa si një nga më të veçantët në aviacion, por gjithashtu simbolizoi një moment historik në udhëtimin e vështirë me të cilin përballen shumë gra pilote dhe kjo është një nga arsyet që dyshja mendon se pse historia e tyre bëri jehonë në të gjithë botën.

Suzy Garrett filloi të punonte për SkyWest në vitin 1989. Gjithmonë, kishte ëndërruar të bëhej pilote, por për ta arritur këtë dhe për të qenë e suksesshme, rruga e saj nuk ka qenë shumë e thjeshtë. Suzy tregon sesa e vështirë ishte më parë për një grua të bëhej pilote dhe se e vetmja mënyrë për të plotësuar këtë dëshirë ishte duke u bërë pjesë e forcave ushtarake, çka për të ishte e pamundur për shkak të gjatësisë së saj fizike, që nuk përputhej me kriteret e kërkuara nga ushtria. Megjithatë, e vendosur për të pasur sukses, ajo u regjistrua në shkollën e aviacionit në Kolegjin Mount San Antonio në Kaliforni, në 1984 dhe më vonë, arriti të punonte si instruktore fluturimi për disa vjet para se të niste punë në kompaninë SkyWest, ku vazhdon të jetë edhe sot.

12 9

Tridhjetë vjet më parë, aviacioni në Amerikë dominohej nga burrat, por sot situata ka ndryshuar paksa, ndonëse sipas shifrave të Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës, 92.5% e pilotëve profesionistë janë meshkuj. Organizata të ndryshme dhe politikat shtetërore po punojnë vazhdimisht për ta bërë aviacionin më të arritshëm duke dhënë bursa apo duke u përpjekur për të përfaqësuar shumë grupe jo të përfaqësuara në aviacion, si njerëzit me ngjyrë apo gratë.

Megjithatë, edhe pse pranon vështirësitë që ka hasur, Suzy thotë se nuk përballet me ndonjë diskriminim në kabinën e pilotit pasi është ndjerë se ka të njëjtën aftësi si homologët e saj meshkuj. Vërejtjet, më së shumti, ajo i ka marrë nga njerëz që nuk e njohin profesionin e saj dhe janë shprehur skeptik për aftësitë e grave si pilote. Për këtë arsye, Suzy brohoret çdo ndryshim që mund të ndryshojë këtë perceptim dhe të ndihmojë gratë të jenë të suksesshme në këtë industri, në të cilën ajo shpreson të ketë frymëzuar gra e vajza të reja, siç ka bërë dhe me vajzën e saj.

Nga ana tjetër, Donna nisi të mësonte hapat e para në këtë profesion nga babai i saj, më pas ndoqi studimet në dy shkolla fluturimi në Kaliforninë Jugore, e mandej përfundoi trajnimin në Miçigan. Sot, që ndodhet në fillimet e karrierës së saj, arrin të kuptojë se padyshim nëna e vet është një pioniere në këtë fushë dhe se ajo çfarë ka bërë është mbresëlënëse për të gjitha gratë dhe vajzat e reja që dëshirojnë të ndjekin një ëndërr të tillë.

7 16

Të dyja, Donna dhe Suzy flasin me ëndje për kohën kur kanë fluturuar së bashku dhe Donna shprehet e lumtur që ka pasur mundësinë të fluturojë me një kapitene me aq përvojë, saç është nëna e saj. Dyshja shpreson se herën tjetër edhe djali i Suzy-t mund të bashkohet me ta në kabinë, pasi edhe ai është një pilot i kualifikuar dhe së shpejti do të bashkohet me SkyWest.

Nënë e bijë shpresojnë që industria të rimëkëmbet sa më parë nga kjo situatë që ka shkaktuar pandemia dhe linjat ajrore të fillojnë të punojnë përsëri. Gjithashtu, ato shpresojnë se pandemia nuk do të ndalojë aviatorët e rinj të arrijnë qëllimet e tyre. “Në këtë industri, unë kam parë shumë ulje dhe ngritje, cikle të ndryshme. Kjo është e përkohshme, ne do të kthehemi “, thotë Suzy.

Donna dhe Suzy janë të mendimit se historia e tyre dhuroi pozitivitet në këtë vit të vështirë dhe u pa si diçka frymëzuese, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë.


Share

Komente