January 28, 2022

Nëntë zyrtarë në pranga për favorizim në tenderin e uniformave të policisë

Shpërndaje lajmin

SPAK akuzon nëntë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme se kanë favorizuar firmën fituese për tenderin me fond limit 2.8 miliardë lekë për blerjen dhe shpërndarjen e uniformave dhe këpucëve për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Uniformat e prezantuara nga Policia e Shtetit. Foto: Ministria e Brendshme.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të shtunën ndalimin e nëntë zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme për shkelje të barazisë në një tender me fond limit 2 miliardë e 800 milionë lekë, të zhvilluar në maj të vitit të kaluar, lidhur me uniformat dhe këpucët e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Nën akuzë janë anëtarët e Njësisë së Prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, KVO, si dhe drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari.

Në njoftimin e shpërndarë nga SPAK thuhet se në hetim janë bashkuar disa procedime penale të vitit 2020, për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja i tha BIRN se hetimi ka nisur bazuar në kallëzimin e depozituar nga deputetët Myslim Murrizi, Halit Valteri dhe Halil Jakimi në gusht të vitit të kaluar.

Pas depozitimit të kallëzimit penal verën e kaluar, deputeti Murrizi deklaroi se kompania fituese e tenderit të uniformave për policinë e shtetit kishte objekt të aktivitetit te saj pastrimin e dheut. Ai ngriti dyshime për abuzime dhe dëm të krijuar shtetit.

“Nga aktet e administruara ka rezultur se më datë 11.05.2020, në Agjencinë e Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me objekt ‘Blerjen dhe shpërndarjen e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shetit për 4(katër vjet), me fond limit 2.800.347.570 lekë, “ thuhet në njoftim.

Sipas SPAK, gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurorimit publik, bërë nga anëtarët  e njësisë së prokurimit, shtetasit Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj.

Sipas akuzës, të dyshuarit kanë bashkëpunuar me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari, duke sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues.

Më 7 korrik, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të nëntë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, të proceduar për veprën penale “shkeja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim.

Në njoftimin sqarohet se Policia e Shtetit ka ekzektuar të shtunën vendimin e gjykatës për masën e sigurisë për të proceduarit. SPAK shton se hetimet e këtij procedimi penal janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e plota të paligjshmërive të kryera, si dhe për të provuar përgjegjësinë penale të gjithë personave të përfshirë.

Të arrestuar:

Edlira Naqellari, drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara

Anëtarët e njësisë së prokurimit

Flutura Çekrezi

Anisa Bogdani

Ani Omuri

Kleivis Hasani

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

Kreshnik Bejkaj

Fatmir Demneri

Mariglen Buzali

Gëzim Mingaj

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published.