“Neveri për ata që e quajnë gjenocid”, Braçe del në krah të shefit: Personalitetet janë të parët e vaksinimit te mbi 80-vjeçarët

Share

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka hedhur akuza në drejtim të opozitës lidhur me vaksinimin e personaliteteve.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa falënderon personalitetet që u vaksinuan ditën e djeshme Braçe shkruan se ka neveri për ata të cilët vaksinimin e personaliteteve e quajtën si gjenocid, duke shtuar se personalitete janë të parët e vaksinimit mbi 80 vjeç.

“Jetë të gjatë dhe, faleminderit për artin, punën, vlerat, dinjitetin tuaj! Thonë pse po vaksinoni personalitete mbi 80 vjeç, është gjenocid, kur në fakt ata janë të parët e vaksinimit te mbi 80-vjeçarëve! Neveri për ta! Ndërkohë edhe një herë shumë faleminderit gjithkujt që u vaksinua sot edhe si kontribut për të bindur gjithçka se vaksinimi është jetik”, tha ai.

Braçe vijoi më tej duke përmendur akuzat e opozitës lidhur me pandeminë. Ai u shpreh se opozita ka akuzuar qeverinë lidhur me mungesën e vaksinës, ndërsa tani lidhur me vaksinimin e personaliteteve.

“Në anën tjetër ia vlen të kujtoj se, sot është dita për të bërë bilancin: Në fillim na thanë se nuk ka Covid, është konspiracion për të ndalur protestat, pastaj se po mbyllni vendin për të mbyllur në shtëpi kundërshtarët, më tej se nuk keni spitale, nuk keni respiratorë, nuk keni veshje, më tej akoma se vaksina është një konspiracion me cipa, pastaj se nuk po gjeni vaksinën, nuk po sillni vaksinën, po e sillni kontrabandë, tani në fund, por jo për fund se pse po vaksinoni personalitete mbi 80 vjeç”, shkruan Braçe.

Ndërkohë, ditën e djeshme filloi vaksinimi i dhjetëra të moshuarve në mjediset e stadiumit kombëtar “Air Albania”, ku fillimisht u vijua me një listë prej rreth 24 personash me kontribute në shoqëri si ish-politikanë, apo dhe artistë. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të procesit u shpreh se janë rreth 80 të moshuar që janë vaksinuar.

Ministria u shpreh se listimi i të moshuarve 80-90 vjeç u bë nga mjekët e familjeve. “Janë 80 të moshuar mbi 80 dhe 90 vjeç që vaksinohen sot. Janë edhe personalitete, por gjithashtu edhe të moshuar të tjerë të zgjedhur nga mjekë të familjes”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.


Share

Komente