Nga Miron Çako/ Uji i bekuar një mjet shërimi dhe shenjtërimi falas

Share

Tradita e krishterë na thotë se kur njerëzit e sëmurë pagëzoheshin në Kishën Apostolike në emër të Krishtit ata edhe shëroheshin nga sëmundje të ndryshme edhe nga ato infektive , ashtu si u shërua nga lebra edhe Naman Siriani kur u zhyt me porosi të profetit Jezekel shtatë herë në lumin Jordan.(Libri i IV i Mbretërve 5.9-14)

Njerëzit duke parë këto veti shëruese të ujit që shenjtërohej edhe përdorej për Misterin e Pagëzimit dhe merrte hirin e Jordanit , e kërkonin ta përdornin për të shëruar të sëmurët në shtëpitë e tyre.

Kjo ishte një ndër arsyet që Kisha Apostolike e pa të nevojshme shenjtërimin e ujrave me Bekimin e Madh  në ditën e Theofanisë në 6 Janar dhe me Bekimin e Vogël në çdo fillim muaji.

Në këto shërbesa episkopi, ose prifti orthodhoks duke u lutur me urata përkatëse Perëndisë Atit që të zbresë bekimin e Tij që lartazi dhe pastaj duke hedhur në uji Kryqin si shenjën e Krishtit i cili u pagëzua nga Joan Pagëzori në lumin Jordan, uji mbushet me hirin e Shpirtit të Shenjtë dhe  shejntërohet dhe  kështu nuk prishet.

Uji i Bekuar, ndryshe nga uji që kur rrinë në një vend ndryshojn ngjyrë dhe qelbet, nuk ndryshon ngjyrë, nuk vjen erë të keqe, por qëndron  i pastër për vite me radhë vetëm të mos avulloj.

Kisha Orthodhokse beson dhe pohon se Uji i Bekuar,me anë të uratave të Bekimit të Madh  dhe Bekimit të Vogël bëhet mbartës i hirit shenjtërues, por edhe mburojë e padukshme kundër frymërave të liga dhe shërim sëmundjesh edhe ato që shkenca e mjekësisë nuk i shëron dot, sepse mbart brenda vetes hirin shërues të Krishtit që shëronte dhe shëron si Perëndi-Njeri çdo sëmundje edhe lëngat në popull.(Mateu: 4-23)

Këtë të vërtetë hyjnore na i thotë edhe lutja përkatëse për shenjtërim e Ajazmos së Madhe: “Se Ti Perëndia ynë u duke mbi dhe dhe u shoqërove me njerëzit, Ti shenjtërove dhe rrjedhjet e Jordanit duke u dërguar prej qiellit Shpirtin tënd të Shenjtë dhe dërrmove krerët e dragonjve që molesonin atje. Ti pra, o mbret njeridashës, eja dhe tani me përmbindodhjen e Shpirtit tënd të Shenjtë dhe shenjtëro këtë ujë Dhe jepi hirin e shpërblimit, bekimin e Jordanit; bëje burim paprishjeje, dhuratë shenjtërimi, zgjidhje mëkatesh, largimtare sëmundjesh, rrëmujë për demonët, të paafruar për fuqitë kundërshtare, të rrafshuara me fuqi ëngjëllore.Që gjithë sa e marrin dhe pjestojnë prej saj ta kenë për paqësim shpirtrash e trupash, për shërim sëmundjesh, për bekim shpirtrash dhe për çdo fitim të dobishëm. Se Ti je Perëndia ynë që përsërite natyrën tonë të vjetëruar prej mëkatit me anë të ujit dhe Shpirtit.

“Ul, o Zot ,veshin tënd dhe dëgjona ,ti që denjove të pagëzohesh në Jordan dhe shenjtërove ujrat dhe bekona të gjithëve ne që me anën e uljes së kryeve tanë, tregojmë se jemi shërbëtorët e tu; dhe bëna të denjë të mbushemi me shenjtërimin tënd me anën e marrjes dhe të spërkatjes nga ky ujë dhe na u bëftë o Zot për shëndet shpirti dhe trupi. Se ti je shenjtërimi i shpirtrave dhe trupave tanë, dhe ty ta drejtojmë lavdinë, falenderimin dhe adhurimin, bashkë me Atin tënd pa fillim dhe Shpirtin tënd të Tërshenjtë të Mirë dhe Jetëbërës tani e përherë e në jetë të jetëve Amin.(Urata e Bekimit të Madh)

Apostujt që morën nga Krishti fuqi kundër demonëve edhe sëmundjeve (Mateu : 10 -1), në Kanonet Apostolike këshillojnë që Bekimi i Ujit të bëhet jo vetëm në fillim muaji, por edhe për çdo sëmundje, apo nevojë për shenjtërim.

Shenjtorët nga ndriçimi hyjnor dhe eksperinca e tyre shpirtërore na këshillojnë për rëndësinë e madhe të përdorimit të Ujit të Bekuar për ne orthodhoksët.

Shën Serafimi i Sarovit i këshillonte besimtarët :” Të pini çdo mëngjes esëll një gotë me ujë të bekuar”.

Shën Lukai i Krimes, kryepeshkop dhe kirurg i famshëm thoshte: “Nuk ju këshilloj jo vetëm si peshkop por edhe si mjek: “Të pini çdo ditë esëll uji të bekuar në emër të Trinisë së Shenjtë”

Çdo gjë të keqe kundër njeriut dhe krijimit e drejtojnë demonët e ligj që janë armiqtë e njeriut dhe krijesës së Zotit , kështu ne orthodhoksët i`u kundërvihemi atyre me lutje dhe me Ujin e Bekuar që është i mbushur me hirin e Krishtit ku: “banon trupërisht tërë plotësia e Perëndisë” (Kolosianëve 2-9) që i djeg demonët dhe shkatërron  planet edhe mjetet e tyre vrastare kundër njerëzimit.

Ajazmoja e  Madhe, ose Uji e Bekimit të Madh i 6 Janarit vjen nga shenjtëria mbas Kungatës Hyjnore, prandaj në mungesë të marrjes së kungatës ne besimtarët orthodhoksë mund dhe duhet ta përdorim në vend të saj, kështu përsëri në shtëpitë tona në pamundësi për t’u kunguar mund të marrim me besim hirin shenjtërues dhe shërues të Krishtit nëpërmjet kungimit dhe spërkatjes me Ujin e Bekuar.

Ujin e Bekuar mund ta pinë vetëm ata që janë të pagëzuar në Kishën Orthodhokse edhe esëll, kurse të papagëzuarit mund të spërkaten nga jashtë.

Në këto ditë të liga pandemie ne besimtarët orthodhoksë  nuk  duhet vetëm të  shpresojmë në mirpërdorimin e shkencës së mjekësisë kundër koronavirusit, por së pari me besim duhet të mirëpërdorim nga klerikët uratat për shëndet bashkë me gjërat e shenjtëruara që përcjellin hirin shërues dhe shenjtërues të Zotit, kundër demonëve dhe sëmundjeve, si Ujin e Bekuar po ashtu  Vajin e Bekuar(Efqelia) edhe Kungatën Hyjnore, të cilat ne i marrim në kishë falas dhe pa efekte anësore, ashtu si na thotë profeti Isaia ; “O ju që keni etje , ejani tek ujrat dhe ju që nuk keni para blini edhe hani”(Isaia Isaia: 55-1)

Është mirë që në ditë të marim një prift të na bekojë shtëpinë por në pamundësi edhe vetë mund të marrim Ujin e Bekuar në një enë dhe me një degë borziloku ose bime tjetër të gjelbër spërkasim në formë kryqi  veten,personat e tjerë të familjes ,shtëpinë, objektet tona që të bekohen edhe shenjtërohen.

Uji i bekuar duhet të mbahet në një vend nderi në shtëpi dhe që të mos shterojë kur e përdorim vazhdimisht e shtojmë me uji tjetër që pimë zakonisht dhe kështu e përdorim për gjatë gjithë vitit.Kur duam të marim Uj të Bekuar të ri, të vjetrin ose e pimë ose e hedhim në një vazo me lule./CNA.al


Share

Komente