January 12, 2022

Ngec ende pa filluar hetimi parlamentar i zgjedhjeve të 25 prillit

Shpërndaje lajmin

Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për të hetuar përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë nuk arriti dot të miratojë rendin e ditës për shkak të debateve politike për rregulloren brendshme. Mbledhja e së premtes është e treta radhazi që mbyllet pa asnjë vendim.

Nga mbledhja e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet. Foto: LSA

Formulimi i disa neneve në rregulloren e brendshme të punës u bënë shkak për dështimin e  mbledhjes së radhës së komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit të premten. Përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës nuk arritën konsensus për miratimin e draft-rregullores dhe zgjedhjen e sekretarit, duke i shpenzuar orët e mbledhjes me debate politike.

Socialistët propozuan disa ndryshime në draft, të cilat preknin mënyrën se si do të drejtohej komisioni, si dhe procedurat për thirrjen e dëshmitarëve dhe sigurimin e provave. Në propozimet e PS-së, përveç kryetarit, i jepej atribut edhe zv/kryetarit dhe sekretarit në këto vendimarrje.

Kryetari Enkelejd Alibeaj i cilësoi propozimet një tentativë për të bllokuar hetimin.

“Shkelen dy të drejta themelore që i përkasin opozitës,” tha ai.  Sipas tij, deputetët e mazhorancës kërkojnë të përmbysin me rregullore ligjin për komisionet hetimore, duke i hequr opozitës drejtimin e komisionit dhe duke i mohuar të drejtën çdo anëtari që të kërkojë prova.

Pasi mungoi konsensusi paraprak, Alibeaj e hodhi në votim draftin, i cili u miratua në parim. Por gjatë miratimit nen për nen, socialistët kërkuan të ndërhynin për të bërë propozimet e tyre. Kryetari i komisionit nuk i lejoi propozimet, gjë që çoi në largimin e socialistëve nga salla dhe ndërprerjen e mbledhjes për mungesë kuorumi.

Zv/kryetari socialist i komisionit, Toni Gogu, tha se largimi u bë shenjë proteste ndaj mënyrës së drejtimit të mbledhjes nga Alibeaj. Duke e cilësuar tentativë të opozitës për ta nxjerrë komisionin nga shinat e ligjshmërisë, Gogu shtoi se: “Alibeaj, në mënyrë të përsëritur injoroi të drejtën e mazhorancës për të paraqitur propozimet e neneve të draft rregullores deri në shkeljen flagrante të mos marrjes në konsideratë të rezultatit të votimit”.

Kjo është mbledhja e tretë radhazi, ku komisioni nuk arrin të marrë asnjë vendim për të nisur punën për hetimin e zgjedhjeve, ndërkohë që afati i tij është i përcaktuar deri në 14 janar 2021.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *