Nis restaurimi i kullës mesjetare të shkatërruar nga tërmeti

Shpërndaje lajmin

Një kantier i hapur  synon të shërojë plagët që la pas mbi trashëgiminë kulturore tërmeti i nëntorit 2019. 

Kulla C e shkatërruar nga tërmeti

Kulla mesjetare në qendër të Durrësit do të restaurohet duke shfrytëzuar të njejtët blloqe masive me tulla dhe gurë, të cilët u shkëputën prej saj natën e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019. 

Procesi pritet të përfundojë brenda një periudhe 10-mujore, kohë në të cilën do të punohet paralelisht edhe në tre monumente të tjerë, në Krujë dhe në Prezë, objekte të cilët u dëmtuan rëndë nga i njejti fenomen natyror. 

Projektuesi i restaurimit, ing. Stavri Burda, tha për BIRN se tashmë ka nisur përforcimi i themeleve, mbi të cilat do të vendosen njëri mbi tjetrin blloqet, më i madhi prej të cilëve arrin peshën prej 40 tonë gjithsej.

Burda shprehet se gjatë dhjetëvjeçarëve dhe shekujve të kaluar, banorët kanë hequr nga muret dhe themelet e kullës mjaft gurë dhe blloqe, të cilët janë shfrytëzuar për ngritjen e godinave të tjera në lagjet pranë fortifikimit mesjetar.

“Shkëputja e gurëve e ka dobësuar strukturën në themelin e saj,” shpjegoi Burda, sipas të cilit goditja sizmike e ka lehtësuar shkatërrimin e njërës faqe të kullës.

Burda pranon se do të jetë një kantier i vështirë, por firma e përzgjedhur ka specialistë të aftë për restaurimin e monumenteve të kulturës.

Kantier i hapur restaurimi për banorët, median dhe turistët

Dëmet nga tërmeti në muret mesjetare të Durrësit

18 muaj pas rënies së blloqeve me tulla mesjetare, Shpëtim Sherifi, i cili banon pak metra larg mureve dhe vetë Kullës C, kujton përsëri orën e tërmetit që në pak sekonda hodhi në tokë strukturën 1,500 – vjeçare. 

“Unë e shtyva djalin me dy nipat drejt mureve të larta, ngaqë mendova se vetëm aty mund të ishin më të sigurtë – tregon 65 – vjeçari durrsak.

Në pak çaste ata janë rikthyer drejt pallatit të llahtarisur nga zhurma e masivit të gurëve dhe nga pluhuri që u ngrit mbi fortifikimin mesjetar.

“Më vjen mirë që kantieri do të jetë i hapur, dhe që fëmijët e vegjël, pas tmerrit që përjetuan, do ta shohin nga afër se si do të rindërtohet muri i lartë gati 20 metra,” shprehet për BIRN, Shpëtim Sherifi.

Muret rrethuese të qytetit, ku bën pjesë edhe Kulla C janë ndërtuar në shekullin e 5-të, kur perandoria bizantine udhëhiqej nga Anastasi i I, me origjinë nga Durrësi.

Arkeologët thonë se dëmtimet e dukshme në shekuj të Kullës janë restauruar pa kujdes gjatë sundimit Osman, kur njëri krah i ndërtimit bizantin u plotësua me një faqe të mbushur gurësh dhe tullash pa lidhje me murin mesjetar.

Gjithçka do të restaurohet gjatë javëve në vazhdim, nën vështrimin e qytetarëve dhe turistëve që shëtisin në rrugën nga Torra Mesjetare drejt kodër-Vilës.

“Projekti financohet me një shumë prej 200 mijë USD nga Fondi Global i Ambasadorëve të SHBA,” tha për BIRN, Mirian Bllaci, menaxher programi në organizatën “Trashëgimia kulturore pa kufij”. 

Një financim suedez ka mundësuar pastrimin fillestar të kullës së shembur, si dhe projektin për restaurimin e saj.

Bllaci shton se qytetarët dhe vizitorët e qytetit mund ti ndjekin punimet e restaurimit dhe po ashtu mund të informohen nga specialistët, lidhur me ecurinë e rikonstruksionit të kullës C.

Me mbështetjen e Ambasadës së SHBA në Tiranë, organizata “Trashëgimia kulturore pa kufij” po kujdeset për restaurimin e tre monumenteve të tjerë, që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Rikthimi në gjendjen e mëparme do të aplikohet edhe në kalanë e Krujës ku do të restaurohen Teqeja e Dollmës dhe Kulla e Sahatit, si dhe në kalanë e Prezë, ku proçesit do ti nënshtrohet Kulla e Sahatit. 

Nga 53 objektet e trashëgimisë kulturore me probleme nga tërmeti I 26 nëntorit, këto përcaktohen nga specialistët si të dëmtuarat më rëndë.

“Ne i konsiderojmë kantieret në Durrës, Krujë dhe në Prezë si platforma të edukimit dhe të zhvillimit ekonomik lokal,” tha Bllaci, duke shtuar se ditë të veçanta gjatë restaurimit do ti kushtohen edhe vizitave për gazetarët e medieve lokale dhe qendrore.

Mirëmbajtja e monumenteve dhe shqetësimi i arkeologëve

Fortifikimet e Durrësit datojnë në shekullin e V

Fortifikimi mesjetar në Durrës është një nga nga monumentet më interesantë dhe studimi i tij vazhdon prej disa dhjetëvjeçarësh. 

Lëvizja e kalimtarëve që shfrytëzojnë portat shumëshekullore për të lëvizur nga qendra historike e qytetit drejt lagjes bregdetare ngjall edhe sot kureshtjen e vizitorëve dhe turistëve, të cilët gjejnë në të njejtin territor edhe amfiteatrin e lashtë.

Prof asc Dr. Eduart Shehi tha për BIRN se vitet e fundit përgjatë mureve janë realizuar sondazhe, që kanë plotësuar me të dhëna të reja njohuritë e deritanishme mbi fortifikimet e qytetit.

Rrënojat e një kulle tjetër ende nën tokë apo elementet arkeologjikë në kullën anzhuine janë vetëm diisa nga të rejat e viteve të fundit.

Shehi shprehet se restaurimi do ta rindërtojë kullën që u shemb nga tërmeti, por mjaft e rëndësishme mbetet ruajtja e këtyre monumenteve dhe ndërhyrjet periodike për mirëmbajtjen e tyre.

Projekti i ardhshëm që pritet të realizohet për çlirimin nga banesat e ndërtuara në vite ngjitur me muret mesjetare, do të mundësojë edhe organizimin e sondazheve arkeologjike, që do të sqarojnë më saktë edhe topografinë e Durrësit në periudha të ndryshme të jetës së tij qytetare.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *