Nis vaksinimi për 300 mjekë në spitalin e Elbasanit, Manastirliu: Po plotësojmë boshllëqet e politikës së mbrapshtë!

Share

Ka nisur këtë të shtunë procesi i vaksinimit anti-Covid për 300 mjekë dhe infermierë në spitalin e Elbasanit. Në një prononcim për mediat ministrja Manastirliu tha se Pavioni Covid është gati dhe po ofron shërbime, duke shtuar se kemi një skenar në rast të rritjes së rasteve. 

Gjatë një  vizite në këtë spital, kryeministri Edi Rama u shpreh se me pediatrinë e Re mbyllet transformimi i këtij spitali.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se do të vaksinohen fillimisht me mjekët dhe infermierët në urgjenca dhe reanimacion dhe më pas me ardhjen e dozave të tjera do të vijohet me të gjithë stafin  e  bluzave të bardha për këtë qark.

Gjatë muajit shkurt dhe mars do të përfundojmë të gjithë vaksinimin e personelit mjekësor dhe do të shtrihemi më tej edhe për grupmoshat mbi 80.”, shtoi ajo.

Shqipëria ka marrë aktualisht 9165 doza të vaksinës së Pfizer. Deri në fund të shkurtit sipas kryeministrit Rama do të vijnë gjithësej 40 mijë doza. Rama ka deklaruar gjithashtu se Shqipërisë do t’i dhurohen 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga një vend anonim.

Sa i takon mungesës së mjekëve infeksionistë dhe pneumologë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se po plotësohen boshllëqet e politikës së mbrapshtë, duke shtuar se janë gati 1700 specializantë.

“Sot kemi filluar me stafin mjekë infermierë të shërbimeve që konsiderohen më të ekspozuarat dhe konsiderohen shërbimet direkte, siç janë urgjencat, reanimacioni, dhe më pas të shtrihemi në të gjithë personelin e Spitalit të Elbasanit, dhe gjithashtu në stafin mjekësor të spitaleve të tjera, të Librazhdit, Përrenjasit, Gramshit. Gjatë muajit shkurt dhe mars ne do të përfundojmë të gjithë vaksinimin e stafit mjekësor, infermierë dhe mjekë.

Sot kemi edhe një lajm shumë të mirë. Kemi filluar punimet për ndërtimin e pediatrisë së re në Elbasan, rehabilitimin. Jam shumë e kënaqur që në Elbasan shtohen investimet. Nga një godinë e rrënuar urgjenca dhe patologjia ofron një shërbim dinjitoz për të gjithë qarkun. Standardet e kujdesit tonë shëndetësor janë të njëjta qoftë në fshat apo qytet. Ne do të vijojmë vaksinimin me grupet prioritare, që janë më të ekspozuar ndaj rasteve me Covid dhe post-Covid. Mbrojtja 100 për qind do të realizohet përmes vaksinimit. Ka disa elementë. Janë materialet e mbrojtjes personale që nuk kanë munguar përgjatë këtij viti”, tha Manastirliu.

E pyetur mbi mungesën e mjekëve infeksionistë dhe pneumologë në Elbasan, Manastirliu u shpreh:  “Jemi duke plotësuar të gjitha boshllëqet e krijuar për shkak të politikës së gabuar, një politikë e mbrapshtë që i ka kushtuar vendit shumë se për 4 vite nuk dolën mjekë specialistë. Ne prej disa vitesh kemi hapur kuotat e specializimit. Kemi më shumë se 1700 specialziantë.

 “Jemi gati edhe në Spitalin e Elbasanit, Pavioni COVID është gati dhe po ofron shërbime për të dyshuarit dhe post-covid. Ne kemi një skenar që parashikon se në rast fluksi të hapen pavijonet, por duhet të kuptojmë që për gjatë kësaj kohe pavijonet kanë qenë të hapur dhe qytetarët i kanë marrë shërbimet”, tha Manastirliu.


Share

Komente