Nis viti i ri shkollor në “Shkollën Shqipe në Zvicër”
Pas pushimeve verore, në gjithë Zvicrën ka nisur viti i ri shkollor në “Shkollën Shqipe”.
“Dyert e shkollave shqipe të kantonit të Cyrih-ut, St. Gallen-it, Arga-ut, Turgau-t, Bern-ës, Vale-së, Uri-it, Grabynden-it, Apenzell-it, Soloturn-it, Vod-it, Freiburg-ut, Luzern-it, Jura-s, Soloturn-it, Tesi-it, Luzern-it, Shvyz-it, Zug-ut, Bazeland-it, Shafhausen-it, etj, janë gati për orët mësimore në gjuhën shqipe”, thuhet në njoftim.
Nga “Shkolla Shqipe në Zvicër” bëjnë të ditur se mësimi do të vazhdojë si zakonisht.
“Edhe sivjet ju presin shkronjat e shqipes, mësimet në fushën e letërsisë, historisë, gjeografisë dhe kulturës shqiptare. Sa shumë keni për të mësuar sepse gjuha shqipe krahasohet me valët e detit. Ashtu si valët e detit që nuk përfundojnë edhe mësimet në gjuhën shqipe nuk përfundojnë kurrë. Prandaj, ju të gjithë duhet të përgatiteni që të “notoni” sa më mirë në valët e saj, sepse nuk ka më keq, se kur një fëmijë nuk e njeh gjuhën e nënës – gjuhën amtare”, bëhet e ditur, përcjell albinfo.ch.
Sivjet “Shkolla Shqipe në Zvicër” jo vetëm që përfshinë mbarë shtetin helvetik – Zvicrën, por edhe synon dyfishimin e numrit të nxënësve, në të gjitha kantonet ku organizohen orët mësimore në gjuhën shqipe.