January 18, 2022

Një denoncim në KQZ vë në pikëpyetje mandatin e deputetes Elda Hoti

Shpërndaje lajmin

Denoncimi i një qytetari se deputetja e opozitës, Elda Hoti nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit të babait të saj në formularin e dekriminalizimit do të shqyrtohet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Posteri elektoral i deputetes së opozitës, Elda Hoti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpërndau të enjten një shkresë që mbante si datë protokolli 18 tetorin 2021, ku një qytetar denonconte deputeten e Partisë Demokratike të qarkut të Lezhës, Elda Hoti se kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit.

Sipas shkresës, shtetasi nga Kurbini, Lesh Nikolli pretendon se deputetja Hoti ka fshehur të dhëna për babanë e saj në fomularin e vetëdeklarimit në KQZ.

“Kjo deputete në vetëdeklarimin e saj ka fshehur ndryshimin e emrit të babait të saj nga David Hoti në Artan Hoti. Ky ndryshim është bërë më datë 30 prill 2002 dhe kandidatja për deputete znj. Elda Hoti nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Duke fshehur këtë të dhënë të gjeneralitetit të saj, znj. deputete nuk mund të përfaqësojë komunitetin në parlamentin shqiptar,” shkruan denoncuesi.

Në denoncim ngrihen dyshime edhe për precedentë të mundshëm penalë të babait të deputetes.

E kontaktuar nga BIRN, deputetja Elda Hoti i hodhi poshtë si të pavërteta akuzat që ngrihen në denoncim, por nuk i dha një përgjigje të qartë pyetjes nëse babai i saj kishte ndërruar emrin.

Përveç KQZ-së, i njëjti denoncim ka shkuar edhe në SPAK, Kuvend dhe në ambasada, por sipas ligjit, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përgjegjës për verifikimin e të dhënave të deklaruara nga deputetët.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj i tha BIRN se për ankesën do të ndiqen rrugët administrative dhe do të jetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve që do t’a shqyrtojë ankesën dhe do të marrë një vendim.

Elda Hoti doli deputete nga lista e Partisë Demokratike me aleatët pas dorëheqjes së kreut të listës së Lezhës, Mark Marku. Më herët, ajo ka qenë deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila nuk e dorëzoi mandatin në vitin 2017.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *