November 29, 2021

Një muze për plazhin e harruar të shekullit të kaluar

Shpërndaje lajmin

A ka arrdhur koha të dokumentohet dhe studiohet historia e plazhit më të madh të vendit?

Plazhi i Durrësit në vitin 1970

Në plazhin e Durrësit kanë mbetur shumë pak shenja nga historia e tij gati 100-vjeçare.

Ndërtimet e çdo lloji gjatë 20 viteve të fundit e transformuan krejtësisht plazhin më të madh të vendit tonë.

Nga vilat e ngritura në periudhën 1930-1940 janë në këmbë vetëm 4-5 godina, të cilat po rrënohen çdo ditë e më shumë, ndërsa vitet e sistemit komunist të kujtohen vetëm nga dy grupe kabinash që vazhdojnë të shfrytëzohen nga disa familje të pastreha.

“Ndonjera prej këtyre ndërtesave mund të adaptohet si muze që do të risjellë në vemendje plazhin e shekullit të  kaluar – tha Ilir Xaxa, mësues dhe hartues i një teksti shkollor me titull “Të njohim vendlindjen”.

“Do të jetë një mënyrë mjaft konkrete për tu shjeguar nxënësve, se në cilat kushte i kalonin pushimet prindërit dhe gjyshërit e tyre në vitet 1970-1980, kur Durrësi kishte plazhin më të frekuentuar në shkallë vendi – shton mësuesi Xaxa.

Kabinat prej dërrase në plazh me një sipërfaqe tepër të kufizuar për çdo familje dhe mobiljet e pakta dhe tepër të varfëra në dukje, mund ti japin mjaft informacion jo vetëm vendasve, por edhe të huajve që preferojnë qytetin bregdetar për turizëm.

Elementet që dëshmojnë mbi pushimet e liderëve komunistë në zonën që edhe sot thirret si ish-Blloku i  udhëheqësve krijon mundësinë e njohjes së diferencave mes familjeve të drejtuesve dhe popullit në socializëm.

“Investimi për ndërtimin e një muzeu të tillë e rrit interesimin e të gjitha kategorive të qytetarëve për Durrësin dhe plazhin e tij – tha Tasim Besho, ekspert I turizmit.

“Ai me siguri i shton të ardhurat në plazh, duke e bërë hapësirën edhe më tërheqëse për vendasit dhe të huaj – shton Besho.

Qyteti antik aktualisht ka vetëm një muze, atë arkeologjik, pasi muzeu etnografik u dëmtua nga tërmeti I 26 nëntorit dhe ende nuk është i vizitueshëm.

Një muze në plazh do të zgjeronte edhe tematikën e institucioneve që I shërbejnë turizmit.

Bregdeti në jug të qytetit filloi të shfrytëzohet si vend banjosh turistike që në vitet 1920, kur disa nga familjet e tregtarëve durrsakë ndërtuan shtëpitë e para prej druri palafite, brenda në ujë jo larg bregut.

Një urdhër i bashkisë i largoi nga deti kabinat e para me këmbë druri për arsye mmjedisore dhe në mesin e viteve 1930 filloi zbatimi i projekt-planit për ndërtimin e vilave familjare në krahun e djathtë të rrugës Durrës-Kavajë.

Në familjen e arkitekt Kristo Sotirit, një nga hartuesit e këtij projekti ruhen edhe listat e detyrimeve tatimore që i shkonin bashkisë për vilat e ndërtuara në bregdet.

Në 3,4 km gjatësi nga stacioni “Teuta” deri në “Iliria” shiteshin troje prej 400 ose 500 metra katrore, në dy deri në katër radhë, sipas gjërësisë së plazhit dhe me kusht që ndërtimet nuk duhet të zinin më shumë se 40 përqind të sipërfaqes..

Janë të pakët ata që e njohin zgjerimin e plazhit gjatë periudhës së monarkisë dhe një muze me foto dhe me mobilje të banesave, që nuk i kalonin të dy katet do të ishte një informacion mjaft I vlefshëm për të gjithë ata që nuk e njohin këtë territor tashmë të mbushur me pallate shumëkatëshe banimi dhe me hotele gjithëfarësh.

Pas viteve 2000 plazhi i Durrësit përveç shtrirjes drejt “Plepave” dhe Golemit në jug iu nënshtrua ndërtimeve pa kriter, të cilat ia hoqën intimitetin zonave të dikurshme me gjelbërim dhe pemë.

Fondi i rërës, i domosdoshëm për vlerat turistike dhe shëndetsore u pakësua në proporcion të njejtë me rritjen e numrit të ndërtimeve shumëkatëshe.

Banesat e pakta dhe të hershme që kanë mbetur në këmbë aktualisht mund të shkatërrohen për  tua lënë vendin pallateeve të larta, ndërsa kabinat që kujtojnë periudhën kur pushimet verore quheshin luks janë edhe më të lehta për tu prishur.

Tre javë më parë në një grup kabinash të stabilimentit “Iliria”, nga të paktat  që të kujtojnë vitet 1970, për shkaqe ende të panjohura ra një zjarr, që mund ta zhdukte një nga dëshmitë e fundit të plazhit të dikurshëm.

Ka ende kohë për ta ruajtur në memorie pushimet turistike të shqiptarëve në plazhin më të madh të vendit.

Krijimi i një muzeu me dëshmi materiale dhe imazhe të plazhit të Durrësit do tua rriste vlerën pushimeve në qytetin bregdetar.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *