Shpërndaje lajmin

Këtu e disa vjet më parë, që kur më kishte lindur ideja e vizitës së Frashërit, vendlindjes së Vëllezërve Frashëri, në rrethin e Përmetit, isha stepur nga vështirësitë e rrugës, gjithmonë me shpresën se shteti shqiptar do të ndërmarrë nismën për rregullimin e saj, sepse kishte të bënte me personalitete të veçanta, me intelektualë të përmasave të mëdha, me një familje me rrënjë patriotike që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rrafshin kombëtar, e cila ka lënë gjurmë të forta, të thella e të pashlyeshme për historinë, arsimimin dhe kulturën e përgjithshme shqiptare. Dhe, vitet kishin ikur, shumëçka në Shqipëri është transformuar, por Frashëri ka mbetur i shkëputur, i izoluar, i veçuar dhe krejt i pavërejtshëm nga shteti. Sikur të ishte mjaftuar me një të bërë kushedi sa vjet më parë të asaj shtëpie muze dhe, kaq! Tash e lënë pothuajse në harresë, pa mirëmbajtje dhe përkujdesje. Vetëm disa nga ne kosovarët, si “ruajtës të relikteve kombëtare”, apo ndonjë “nostalgjik i patriotizmit kulturor”, siç na u referua shoferi përmetar i makinës, i cili na voziti nga Përmeti deri në Frashër, e mbajnë gjallë ende frymën kombëtare.
Ishte pasdite e 15 prillit 2023 kur u nisëm nga Përmeti drejt Frashërit. Shoferi i makinës në dalje të qytetit u ndal pranë një objekti dhe, pa na treguar arsyen, doli nga vetura, hyri në oborrin e saj dhe po kthehej me një lopatë dhe një kazmë në dorë. Ç’po ndodhte? Pse t’i duheshin ato vegla? Kurrsesi ta besoja, por doli atë që e mendoja: ngase kishte rënë shumë shi ditët e fundit, rruga mund të jetë dëmtuar rëndë sa do të duhej të intervenohej me lopatë dhe kazmë. Kështu u arsyetua shoferi, e nuk më befasoi ky fakt, tashmë isha përgatitur për gjithçka. Më s’ia kisha frikën rrugës, mjaftonte të niseshim dhe, gjithsesi synimi final ishte të arrinim në cak!
 
Mesazhi i tabelës orientuese dhe mosdukja e shtetit

Në Piskovë lëshuam rrugën e asfaltuar dhe u shmangëm në të djathtë një rruge katundi. Në kthesën përballë po qëndronte tabela e madhe me mbishkrimin: “Frashër- Meka e Shqipërisë”, e cila po paralajmëronte për rëndësinë e atij vendbanimi. Këtu u ndala dhe, pa u hamendur shumë, gjykova: “Sa hipokrizi! Sikur të ishte kështu, ku është ndërhyrja e shtetit?! A nuk do të duhej që ta bënte rrugën dhe ta lehtësonte udhëtimin drejt kësaj “Meke shqiptare”… dhe jo shoferi të merrte lopatë e kazmë me vete… Sa paradoklase!? Sa kundërthënës jemi…”
Traseja e rrugës kishte qenë e shtruar me zhavorr, por shirat e kishin dëmtuar dhe ecja e makinës ishte e ngadalshme. Po u ngjiteshim atyre shpateve një rruge me plot dredha, asnjë gjurmë makine apo njeriu. Shoferi, tepër llafazan, s’zgjidhte fjalë për të kritikuar të kaluarën dhe të tashmen politike… Vetëm kur ne e ndërpritnim me ndonjë pyetje konkrete për zonën, ndalej dhe na shpjegonte. Disa tabela me emërtimet e majave të Parkun Kombëtar të Hotovës ishin një orientim i mirë për ata që e duan ecjen. Sa më lart po ngjiteshim, aq më e bukur po bëhej natyra: shpate të lehta e maja të thepisura po e hijeshonin zonën. Kanioni i Kamenckës te Bredhi i Hotovës paraqiste një pamje madhështore që të mahniste me bukurinë, veçantinë dhe formën e saj të egër dhe të frikshme…
 
Udhëtim i vështirë, por mbresëlënës
Pas më shumë se dy orë rrugë, me disa ndalesa të shkurtra, arritëm në Frashër. Në të djathtë ende kishin mbetur disa objekte gjysmë të rrënuara, relikte të ish-sistemit, në të majtë disa shtëpi të vjetra dhe vetëm tek-tuk ndonjë objekt i ri, e në mes të fshatit shtëpia muze e Vëllezërve Frashëri: një oborr i rrethuar, disa pisha të bukura në hyrje, në të majtë bustet, çuditërisht pa emra, e tri figurave të mëdha të kombit: Abdylit, Naimit dhe Samiut. Flamuri kombëtar pranë, megjithatë, tregonte për përmasat e  tyre kombëtare. Objekti dykatësh i shtëpisë muze qëndronte madhështor në mes, përsëri çuditërisht dhe pafalshëm, me dyer të mbyllura! U desh që shoferi të trokiste në derën e një shtëpie aty pranë që ta ftonte një grua rreth të 60-ave që të vinte për të na e hapur derën. Erdhi Mariana, e cila na tregoi se këtë punë e bën vullnetarisht, sepse shteti nuk e paguan, prandaj la të nënkuptohej se ishin vizitorët që duhej ta shpërblenin për këtë punë.
Hymë brenda, në të dy anët kishte dhoma për vizitorë, shkallët në mes të dërgonin në katin e dytë, në korridor po qëndronte një fotografi e madhe me Naimin në mes, nëpër dhomat anësore ambiente me dokumente, mbishkrime të ndryshme nga e kaluara e familjes dhe veprimtaria e tyre, por asnjë libër askund! As drita të mjaftueshme nuk kishin ato dhoma gjysmë të errëta, e kjo tregonte moskujdesin e shtetit… Një histori e tërë e familjes dhe e këtyre personaliteteve po “fliste” dhe sikur akuzonin se porositë e tyre nuk kanë pasur reflektimin e duhur në të sotmen e jetës shqiptare…

Dola në skajin e oborrit dhe po e vështroja nga jashtë këtë objekt monument, ambientin rreth saj, bustet, flamurin dhe gjithçka rreth e rreth. Se ç’m’u kujtua një thënie që s’di ku e kisha lexuar: “Sa shumë kanë bërë për Shqipërinë, e sa pak Shqipëria ka bërë për ta”! Po, vërtet ashtu ishte: një objekt mezi i mbajtur, me ambientet e brendshme gjysmë në errësirë, pa ndonjë rregullim të jashtëm dhe, sidomos – pa rrugën! Dhe, në çast përsëri nga arkivi i kujtesës m’u aktualizua gjykimi akuzues i një kandidateje shqiptare për deputete, e cila, këtu e sa kohë më parë, me lot në sy po thërriste për më shumë rrugë, ujë dhe drita: “Që Shqipërinë biologjikisht evropiane, ta bëjmë edhe politikisht evropiane”…
E këtu ku ishim, gjithçka tjetër mund të jetë, veç pamje evropiane –jo! E turpshme kjo për kombin! E pafalshme kjo për shtetin! Nëse Vëllezërit Frashëri paraqesin figurat më ikonike për historinë dhe kulturën shqiptare, ky trajtim kaq mospërfillës është defekt i rëndë i qenies sonë kombëtare! Sa më shpejt duhet të ndërgjegjësohemi për rëndësinë dhe borxhin që kemi ndaj personaliteteve tona kombëtare, pavarësisht kostos financiare të një rruge, e cila, në fund të fundit, e hijeshon trungun tonë kombëtar.
 

 
Në kthim, i mbushur me një ndjenjë krenarie se më në fund kisha realizuar një ëndërr të aqshumëpritur dhe të aqgjatëpritur, duke soditur gjithandej natyrën, po mendoja se, megjithatë, edhe ajo po na shpërblente me pamjen e saj mahnitëse. Po shijoja atë bukuri që rrallë ta gjeje diku tjetër. Po ndihesha i lehtësuar shpirtërisht se e kreva një “udhëtim të veçantë pelegrinazhi”, se e kreva një obligim ndaj kulturës dhe historisë sonë kombëtare, ndaj atyre personaliteteve që na kanë frymëzuar me ndjenjë kombëtare gjatë gjithë jetës. Tash po përjetoja peshën e njëmendtë, jo vetëm artistike, të vargut të Naimit: “O ju malet e Shqipërisë…”  Sa inspiruese, të pamatshme, për atdhedashurinë! Po përjetoja një ndjesi triumfi dhe sikur isha përmbushur me vetëmjaftueshmëri atdhetarizmi! Sa më i papeshë do të isha pa këtë ndjenjë!  Dhe, po gjykoja: Kurrë më shumë se gjenerata e tashme nuk kanë pasur nevojë që t’u kthehen rrënjëve të krenarisë kombëtare dhe të mos përhumben nga joshja e luksit të urbanizmit evropian! Sepse, pa dinjitetin kombëtar, kurrë nuk do të jemi vetvetja!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *