Një nga të arrestuarit në veri të Kosovës do të mbrohet në liri

0
Shpërndaje lajmin

Radosh Petroviç, i cili u arrestua më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës, gjatë përleshjes ndërmjet serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, është liruar për t’u mbrojtur në liri.
Këtë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë familjarët e tij, duke thënë se është paguar garancia.
Petroviç akuzohet nga Prokuroria e Kosovës se ka kryer veprat penale “bashkim për veprime kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit mbi rendin kushtetues të Kosovës, rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe për “sulm ndaj zyrtarëve”.
Në ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka konfirmuar se Petroviç është liruar nga paraburgimi.
“Drejtësia fitoi, Radosh Petroviç është lënë në liri! Pse u paraburgos 26 ditë kur të gjithë e dinë se ai nuk ishte fajtor dhe për këtë ka prova?”, ka shkruar Petkoviç në llogarinë e tij në Twitter.
Ai shtoi se të gjithë serbët e arrestuar “duhet të lirohen”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *