Një tjetër vrasje në Iran, viktima e radhës një 8-vjeçare
Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit ka njoftuar se situata e vështirë vijon në vend, duke kulmuar edhe me vrasjen e një vajze që ishte vetëm 8 vjeç.
Sipas njoftimit në faqen e tyre zyrtare të Këshillit, agjentë të Ministrisë së Inteligjencës iraniane hapën zjarr ndaj një automjeti në lëvizje në rajonin Saravan, nga ku një vajzë 8-vjecare e komunitetit Baluch, mbeti e vrarë, ditën e diel ndërsa një tjetër u plagos.
Dy vajzat e mitura po udhëtonin me një automjet të tipit Peugeot 405 dhe ishin rrugës për në shkollë, në momentin kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj makinës, duke qëlluar në kokë 8-vjeçaren Mona Naghib, e cila mbeti e vdekur në vend.
Ndërkohë, më 20 tetor, agjentët e Departamentit të Inteligjencës të Iranit arrestuan një tjetër vajzë – nxënëse e shkollë së mesme Bentl Hoda Sadr.
15-vjeccarja gjithashtu pjesëtare e komunitetit Baluch kishte shprehur mbështetjen e saj ndaj protestave të Iranit në rrjetet e saj sociale.
Menjëherë pas kësaj, sipas raportit të Këshillit, drejtori i shkollës kishte njoftuar shërbimet e inteligjencës, të cilët e arrestuan vajzën gjatë orës së mësimit. Informacione rreth vendndodhjes së saj aktuale ende mungojnë.
Situata është bërë tejet e vështirë në Iran, ku shprehjet e hapura pro-protestave mund të rezultojnë në arrestim.
Një valë protestash nisën në Iran pas vdekjes së Mahsa Aminit e cila pretendohet se vdiq pas dhunës së ushtruar ndaj saj nga forcat policore iraniane të cilat e kishin arrestuar atë për veshjen e gabuar sipas tyre, të mbulesës islame të njohur si hixhab.
Ndërkohë, gjatë një tjetër episodi të ngjashëm që ndodhi më 11 tetor 2022, forcat e Sigurimit të Shtetit arrestuan 15-vjeçaren Mandana Nemati, nxënëse e klasës së 11-të në shkollën e mesme Forghani të Karaj. Mandana kishte shkruar një slogan kundër regjimit në tabelën e klasës.
Nëna e Mandanës ishte në shkollë kur erdhën agjentët e SSF-së. Kështu, ata arrestuan edhe nënën edhe vajzën e saj. Sipas medias opozitare iraniane, nuk ka informacion për vendndodhjen e kësaj nëne dhe vajzës së saj.
Në një tjetër zhvillim, 6 nxënëse të një gjimnazi në Javarud u liruan pas arrestimit të tyre dhe pagesës së garancisë më 23 tetor.
Sipas raporteve, agjentët iranianë po arrestojnë edhe pjesëmarrësit në protesta apo edhe aktivistë të të drejtave të grave së bashku me studentë dhe të rinj të tjerë që po dalin hapur kundër regjimit dhe praktikave të tyre të dhunshme kundër grave dhe jo vetëm.
LEXONI GJITHASHTU:
40 mijë njerëz në rrugët e Berlinit, solidaritet me protestat në Iran
BE vendos sanksione ndaj Iranit, reagim pas vrasjes së 22-vjeçares Mahsa Amini
Irani: SHBA-ja po “zvarrit” vendimin për marrëveshjen bërthamore