Një vizitë në Spitalin e Fëmijëve në Zaporizhzhia, tmerret e shkaktuara nga trupat ruse

Shpërndaje lajmin

Nga Alexander Saroviç “Der Spiegel”
Përktheu: Alket Goce-
Diana shtrohet në repartin e terapisë intensive në orën 10:09. Tre infermiere, një mjek dhe një shoqëruese kapin çarçafin e gjelbër ku është shtrirë e mitura dhe e zhvendosin nga barela mbi një shtrat. Vajza ka tipare të lëmuara të fytyrës, dhe flokët e saj ngjyrë kafe e errët i dalin sipër fashos së mbështjellë përreth kokës.
Lëkura e saj është e zbehtë dhe sytë shohin përpara. Është 16 vjeçe, por duket shumë më e vogël mëngjesin e kësaj të shtune në spitalin e fëmijëve. Si një vajzë e vogël e pambrojtur. Një anestezist i shkon pranë duke mbajtur në duar diagnozën fillestare: Traumë kraniocerebrale, kafka pjesërisht e thyer, zhvendosje e pjesshme e indit të trurit, objekt i huaj i ngulitur në kokë, me gjasë një copëz metalike.
Vajza ka pësuar edhe plagë në kofshë dhe këmbën e djathtë “deri në 7 cm të gjata”. Rrahjet e saj të zemrës përshkruhen si të qarta dhe ritmike dhe ajo është e vetëdijshme. Për shkak të plagëve të rënda në kokë, i është rekomanduar të trajtohet në departamentin e neurologjisë.
Diana është nga Mariupol, qyteti-port në Detin Azov. Në kohë paqeje, udhëtimi nga vendlindja e saj në spitalin e fëmijëve në Zaporizhzhia zgjat vetëm 3 orë. Por Mariupol ka qenë prej ditësh në qendër të zjarrit të artilerisë ruse dhe sulmeve ajrore. Asnjë qytet tjetër në Ukrainë nuk është bombarduar aq rëndë.
Mbi 80 për qind e godinave mendohet se janë shkatërruar. Ushtria ruse ka hedhur bomba mbi pallatet e banimit, dhe është përfshirë në luftime shtëpi më shtëpi përballë rezistencës së fortë të ukrainasve. Diana i ka shpëtuar kësaj katastrofe, por sigurisht jo e padëmtuar. Ajo qëndron e shtrirë në dhomën nr.2 në repartin e kujdesit intensiv. Nuk dihet me saktësi se si u plagos ajo, por prindërit e saj u thanë mjekëve se ajo kishte plagë të thella në kokë dhe në gjymtyrë.
Nëse 16-vjeçarja do të ishte në gjendje ta kthente kokën, do të shihte lëvizjet e shpejta dhe të sakta të mjekëve dhe infermierëve. Po ashtu ajo do të shihte se reparti i kujdesit intensiv është shndërruar në një bunker, me disa shtresa thasësh me rërë të vendosura në dritare për t’u mbrojtur nga sulmet.
Drita e diellit e ka të vështirë të depërtojë në dhomë. Spitali i fëmijëve ndodhet në qendër të Zaporizhzhias, një qytet i madh në brigjet e lumit Dnieper, i banuar nga treçerek milionë banorë. Dhoma nr.2 gjendet në katin përdhes, një hapësirë ​​prej 20 metrash katrorë me 4 shtretër, secili i zënë nga një viktimë e re e kësaj lufte.
Ato quhen Diana, Masha, Milena dhe Artem. Masha është një 15-vjeçare nga Polohy, një qytet që ndodhet rreth gjysmës së rrugës midis Zaporizhzhias dhe Mariupolit. Këmba e saj e majtë është e mbështetur mbi një jastëk, ndërsa fsheh nën çarçaf një pjesë të këmbës tjetër.
“Amputim traumatik i këmbës së djathtë sipër gjurit. Frakturë e rëndë e krahut të djathtë, lëndime nga shpërthimi i një predhe”- më shpjegon një nga mjekët. Masha ishte duke ecur nëpër qytet me nënën e saj dhe një shoqe, kur një predhë shpërtheu vetëm 3 metra larg.
Në shtratin poshtë dritares së majtë, një kirurg ndryshon fashën në faqen e majtë të një vajze. 11-vjeçarja është nën anestezi dhe në gojë i janë futur disa tuba. “Milena nga Mariupoli”-  tregon më tej doktori. “Plagë me armë zjarri në nofull, lëndime në dhëmbë dhe mishrat e dhëmbëve”- shton ai.
Duke përdorur piskatoren, kirurgu ia heq pambukun nga plaga e daljes së plumbit pikërisht nën veshin e majtë. Mjeku fokusohet në detyrën e tij, pavarësisht britmave që vijnë nga shtrati i katërt i dhomës, ku është shtrirë Artemi i vogël. Një kirurg është i zënë me heqjen e copëzave të predhës në anën e djathtë të trupit të tij.
Familja e Artemit po largohej nga Mariupoli kur makina e tyre u godit nga copëzat e një predhe në një qytezë në periferi. Artemi ka plagë në stomak, kokë, krahë dhe këmbë.
Ai do t’i nënshtrohet operacioneve të mëtejshme. Ai është vetëm 2 vjeç e 10 muajsh.
“Është shumë stresuese psikologjikisht të operosh fëmijë, sidomos fëmijët me këto lloj plagësh”- thotë mjeku Vladyslav Derhalyuk, 30 vjeç, dhe kirurg në spitalin ushtarak në Zaporizhzhia, rreth 10 minuta larg spitalit të fëmijëve.
Ai po ofron mbështetje për mjekët në spitalin e fëmijëve, që kur u shtrua këtu Masha, vajza me këmbën e prerë. Ai thotë se ndihmon gjatë operacioneve për pacientët me plagë të rënda. “Mjekët këtu nuk kanë shumë përvojë me plagë të tilla, ne po”- shprehet ai.
E pyes se si është në gjendje t’i përballojë të gjitha këto që sheh? Derhalyuk heziton të përgjigjet. Por në spital nuk ka shumë kohë për reflektim. Dhe para se të gjejë një përgjigje, hapet dera dhe hyn kolegia e tij Olena Ponomarenko. I nevojitet ndihma e tij në një sallë tjetër operacioni.
Për shumë njerëz që kanë arritur të dalin nga Mariupol, Zaporizhzhia është destinacioni i parë i sigurt. Por njëkohësisht, Zaporizhzhia është një vend i mirë për të parë çfarë mund të rezervojë e ardhmja. Këtu mund të shihen zhvillime, të cilat mund të jenë vendimtare për zhvillimin e konfliktit.
Pas 4 javësh luftime, lufta po shkon në një fazë që ekspertët ushtarakë e quajnë “kulminacion”, pra një situatë në të cilën trupat bllokohen sepse nuk kanë arritur asnjë nga qëllimet e tyre dhe duhet të ndryshojnë fokusin. Për momentin duken më të mundshëm 2 skenarë ushtarakë, dhe Zaporizhzhia luan një rol qendror në të dy ato.
Në skenarin e parë, ofensiva ruse në shkallë të gjerë vazhdon siç ka ndodhur tani, pavarësisht të gjithë pengesave. Trupat e Putinit nuk ka të ngjarë të jenë në gjendje të marrin kontrollin e Kievit dhe Odesës në Detin e Zi. Dhe deklarata e fundit e Ministrisë ruse të Mbrojtjes se do të nisë të fokusohet më shumë në Ukrainën Lindore, mund të tregojë se qëllime të tilla luftarake janë braktisur.
Gjithsesi rusët mund të jenë në gjendje të rrethojnë trupat ukrainase që luftojnë në lindje të vendit. Ato përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të ushtrisë së rregullt ukrainase, e përbërë nga rreth 10.000 ushtarë dhe disa nga njësitë më elitare të vendit.
Nëse ushtria ruse i shkëput me sukses nga pjesa tjetër e vendit, pasojat për Ukrainën do të ishin katastrofike. Në përpjekje për ta bërë këtë, trupat e Putinit mund të marshojnë në qytetin e Kryvyi Rih, ta izolojnë Zaporizhzhian, dhe të ndërpresin rrugët e mundshme të tërheqjes për ukrainasit.
Natyrisht, ushtria ukrainase e di mjaft mirë vlerën strategjike të Zaporizhzhias. Makinat që afrohen nga zona perëndimore kontrollohen me kujdes, ndërsa policë të armatosur, ushtarë dhe pjesëtarë të milicisë civile patrullojnë vazhdimisht.
Edhe kalimi i urave mbi lumin Dnieper kërkon të përballesh me një labirint thasësh me rërë dhe blloqesh prej betoni. Skenari i dytë, dhe jo më pak i rrezikshëm do të ishte një ngërç. Pas humbjeve të mëdha të deritanishme nga rusët, së bashku me gabimet e shumta taktike, morali midis pushtuesve mund të bjerë në mënyrë vendimtare.
Dhe sipas këtij skenari, rusët mund të vazhdojnë të bombardojnë qytetet ukrainase, duke i shkatërruar ato dhe duke vrarë civilë. Synimi do të ishte rraskapitja e Ukrainës dhe thyerja e vullnetit të saj për të luftuar. Nëse ndodh kjo, pasojat do të ishin shkatërruese.
Më shumë fëmijë të plagosur, më shumë vdekje, më shumë njerëz që ikin nga dhuna, potencialisht dhjetëra mijëra, apo edhe qindra mijëra, vetëm nga Zaporizhzhia. Do të ishte gjithashtu një katastrofë për mjekët në spitale – për njerëz si Vladyslav Derhalyuk dhe kolegia e tij Olena Ponomarenko, të cilët punojnë çdo ditë deri në rraskapitje.
*Marrë me shkurtime
 

Leave a Reply

Your email address will not be published.