Një zemër për dy kombëtaret

Shpërndaje lajmin

Në prag të ndeshjes historike mes Zvicrës dhe Kosovës, albinfo.ch ka marrë opinionet e shumë bashkatdhetarëve tanë në lidhje me lojën dhe ekipin e tyre të zemrës në përballjen që shumë vite më parë dukej e paimagjinueshme.
Pjesa dërmuese e bashkatdhetarëve tanë në Zvicër kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë tifozë të përfaqësueses së Zvicrës dhe njëkohësisht të përfaqësueses së Kosovës dhe kombëtares sonë.
Në përballjen e parë mes Zvicrës dhe Kosovës, shumë prej tyre do të “detyrohen” të marrin anë edhe nëse nuk e dëshirojnë atë- zemra dhe të rrahurat e saj do t’ua përcaktojë cilën ekip kanë më për zemër. Kështu e me këtë ide, albinfo.ch, duke ua shtruar të gjithëve pyetjet e njëjta, ka marrë opinionet e një pjese të figurave publike të shqiptarëve të Zvicrës, nga ku sjell rrahjet e tyre të zemrës.

Merita Pinta, afariste dhe kryetare e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Zvicrës
 Një zemër e ndarë në dy pjesë apo një zemër për të dyja ekipet?  
Edhe pse e dua shumë Zvicrën, kisha dashur që Kosova ta fitojë këtë lojë.   
 Nëse fiton Kosova, si do të festosh e nëse humbë, çfarë do të bësh?  
Nëse fiton Kosova do ta organizoj enkas një koncert madhështor me Shkëlzen Dolin dhe Ansamblin e tij në mes të Cyrihut. E nëse humb, do të rri në shtëpi. 
 Lojtari që pëlqen më së shumti te Kosova dhe te Zvicra?  
Te kombëtarja e Zvicrës Granit Xhaka ndërsa te Kosova, Valon Berisha  
 Golat për Kosovën dhe për Zvicrën do t’i shënojnë…?  
Për Zvicrën: Xherdan Shaqiri  
Për Kosovën: Vedat Muriqi  

Nesret Limani- bankier dhe kryetar i FC Kosovës së Cyrihut
Një zemër e ndarë në dy pjesë apo një zemër për të dyja ekipet?
Definitivisht, një zemër për të dyja ekipet! Si i lindur dhe i rritur në Zvicër dhe si kosovar më rrah zemra për dyja ekipet.
Nëse fiton Kosova si do të festosh e nëse humbë çfarë do të bësh?
Nuk çon shumë peshë rezultati i lojës sepse kjo lojë është edhe ashtu një festë për Kosovën dhe gjithë shqiptarët në Zvicër. Kështu që do ta festojmë.
Lojtari që pëlqen më së shumti tek Kosova dhe tek Zvicra?
Me pëlqejnë shumë lojtarë, por Amir Rrahmani është kapiten i vërtetë. Nga Zvicra më pëlqejnë sidomos futbollistët me rrënjë shqiptare si Shaqiri dhe Xhaka, që janë simbol i gjeneratës së shqiptarëve në Zvicër.
Golat për Kosovën dhe për Zvicrën do t’i shënojnë…?
Shpresoj një rezultat 2:2 me golat e shënuar nga Muriqi/Rashica dhe Zeqiri/Imeri për Zvicrën.

Orhan Spahiu, jurist
Një zemër e ndarë në dy pjesë apo një zemër për të dyja ekipet?
Një zemër për të dyja ekipet. Por nuk do të ishte keq të fitonte Kosova. Së pari do të ishte një motivim i madh për lojërat e ardhshme për ekipin me lojtarë mjaft të rinj në moshë, pasi që do ta mundnin një ekip të fortë si Zvicra dhe së dyti Zvicra me përvojën që e ka, do ta përpunonte më mirë një humbje edhe pse presioni për Zvicrën për të fituar është më i madh.
Nëse fiton Kosova si do të festosh e nëse humbë çfarë do të bësh?
Do të festoj në shtëpi, pasi që edhe ndeshjen do ta shikoj në shtëpi me familjen. Edhe nëse humb do ta përballoj më lehtë me familjarët .
Lojtari që pëlqen më së shumti tek Kosova dhe tek Zvicra?
Besart Celina dhe Granit Xhaka
Golat për Kosovën dhe për Zvicrën do t’i shënojnë…?
Për Kosovën Muriçi 2 dhe  për Zvicrën Embolo 1, Seferoviç 1 dhe Shaqiri 1

Leyla Ibrahimi-Salahi, pronare e kompanisë ajrore “Chair airlines”
Një zemër e ndarë në dy pjesë apo një zemër për të dyja ekipet?
Një zemër për të dyja ekipet
Nëse fiton Kosova si do të festosh e nëse humbë çfarë do të bësh?
Nëse fiton Kosova do të festojmë me shampanjë. Nëse humbin do të ja fusim gjumë!
Lojtari që pëlqen më së shumti te Kosova dhe tek Zvicra?
Zvicra: Xhaka;  Kosova: Muriqi
Golat për Kosovën dhe për Zvicrën do t`i shënojnë…?
Për Kosovën, Vedat Muriqi ndërsa për Zvicrën:  Shaqiri dhe  Zuber.

Përparim Avdili, asambleist i qytetit të Cyrihut
Një zemër e ndarë në dy pjesë apo një zemër për të dyja ekipet?
Si Kosovën ashtu edhe Zvicrën e kemi në zemrat tona, dhe kjo është e bukura e kësaj loje. Do të jetë një festë futbolli për tifozët ku ekipi më i mirë e më i përgatitur do të fitojë.
Nëse fiton Kosova si do të festosh e nëse humbë çfarë do të bësh?
Meqë është brenda javës, festa e fitores për cilëndo kombëtare do të jetë e zbehtë me siguri, meqenëse është lojë miqësore dhe pa një vlerë kualifikimi.
Lojtari që pëlqen më së shumti tek Kosova dhe tek Zvicra?
Te Zvicra padyshim Granit Xhaka, jo vetëm për shkak të origjinës tij por edhe për shkak rolit te tij prijës dhe të një lideri të vërtetë të ekipit. Te Kosova nuk mund ta mohoj simpatinë për Fidan Alitin dhe Mirlind Kryeziun, dy lojtarët e ekipit të zemrës të FC Zürich-ut i cili po shkëlqen në kampionatin zviceran dhe kemi shpresa shumë reale të shpallet kampion këtë sezon.

Fehmi Fetahi, afarist, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Zvicrës
Një zemër e ndarë në dy pjesë apo një zemër për të dyja ekipet?
Zemra më ndahet në dy pjesë dhe më rrah edhe për Zvicrën dhe Kosovën.
Nëse fiton Kosova si do të festosh e nëse humbë çfarë do të bësh?
Nëse fiton Zvicra do të festojmë në mënyrën më të mirë të mundshme por edhe nëse humb do të festojmë njëjtë ngase ne duhet të jemi krenarë që Kosova ka arritur të luajë me Zvicrën.
Lojtari që pëlqen më së shumti tek Kosova dhe tek Zvicra?
Futbollisti që më së shumti më pëlqen te Zvicra është Xherdan Shaqiri
Golat për Kosovën dhe për Zvicrën do t`i shënojnë…?
Për Kosovën do te shënojë Muriqi ndërsa për Zvicrën, Shaqiri.

Shqipe Sylejmani, shkrimtare
Një zemër e ndarë në dy pjesë apo një zemër për të dyja ekipet?
Për mua është gjithmonë një zemër për të dyja ekipet – në të dyja kam një pjesë timen dhe kështu fitoj në çdo rast!
Nëse fiton Kosova si do te festosh e nëse humbet çfarë do të bësh?
Besoj që në të dy rastet do të jetë festë e madhe për të gjithët! Kjo lojë është një moment historik dhe ne jemi në mesin e saj: sido që të përfundojë, do të jetë moment historik dhe e meriton ta festojmë.
Lojtari që pëlqen më së shumti tek Kosova dhe tek Zvicra?
Në Kosovë e adhuroj Edon Zhegroven – në Zvicër janë të dytë: Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri!
Golat për Kosovën dhe për Zvicrën do t`i shënojnë…?
Nuk e di kush dhe prej cilit ekip: po me siguri një shqiptar (prej dy anëve) do ta shënojë një gol!

Qëndresa Sadriu-Hoxha, deputete kantonale në Cyrih
Një zemër e ndarë ne dy pjese apo një zemër për të dyja ekipet?
Sporti më duket ndonjëherë si politika. Ne i kemi diferencat mes njeri-tjetrit, debatojmë dhe diskutojmë intensivisht gjatë debatit por pas debatit ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit dhe pinë një pije bashkë. Kështu duhet të jetë dhe me ne shikuesit por edhe me lojtarët në lojë. Te unë më rrah zemra për të dyja kombëtaret dhe gëzohem ta shoh një lojë interesante, fair dhe me respekt.
Nëse fiton Kosova si do te festosh e nëse humb çfarë do të bësh?
Normalisht që do të festojmë me shoqërinë dhe familjarët siç do të festojmë edhe nëse fiton Zvicra. Nëse nuk fiton do të mërzitem sigurisht por nuk do të jetë hera e fundit që do të mundemi të marrim pjesë si kësaj here.
Lojtari që pëlqen me se shumti tek Kosova dhe tek Zvicra?
Kosova: Vedat Muriqi;  Zvicra: Granit Xhaka
Golat për Kosovën dhe për Zvicrën do t`i shënojnë…?
Për Kosovën: Muriçi (2) dhe dhe për Zvicrën: Embolo 1, Seferoviç 1 dhe Shaqiri 1.

Dr. Fatime Imeri Berisha, bashkëpronare dhe CEO e laboratorëve dhe klinikave mjekësore
Një zemër e ndare në dy pjesë, apo një zemër për të dyjat?
As njëra dhe as tjetra. Kur është në pyetje futbolli, është më se e natyrshme dhe legjitime që secili të bëjë tifo për ekipin e vendlindjes apo vendit të prejardhjes së vet.
Pra, një zemër, për ekipin e Kosovës.
Nese fiton KS si do të festosh, nëse humb çfare do te besh?
Festën e madhe pas fitoreve në futboll e bëjnë zakonisht anëtarët e tjerë të familjes sime. Nëse fiton Kosova, e di që me siguri do të dalin me veturë, duke valëvitur flamurin dhe duke brohoritur. Besoj që kësaj radhe, nëse fiton ekipi i Kosovës, do t`iu bashkangjitem edhe unë.
Kurse nëse nuk fiton, do të komentojnë lojën dhe shansat e humbura për të shënuar gol, ashtu siç bëjnë shumica e tifozëve tjerë.
Lojtari që të pëlqen më së shumti te KS dhe CH ?
Kohëve të fundit nuk kam qenë në rrjedha të futbollit për të ditur performancën aktuale të futbollistëve të këtyre ekipeve. Nga lojërat e mëhershme më patën impresionuar M. Rashica dhe M. Vojvoda nga skuadra e Kosovës, kurse nga ajo e Zvicrës Xh. Shaqiri dhe G. Xhaka.
Golat për CH dhe KS
Nuk jam e sigurtë nëse do të ketë gola.  Dhe, nëse dikush shënon gol, shpresoj shumë që të jetë nga ekipi i Kosovës.
Për fund: le të fitojë skuadra më e mirë!

Liridona Bytyqi, modele
Një zemër e ndarë në dy pjesë apo një zemër për të dyja ekipet?
Zemra rrah pak më shumë për ekipin e Kosovës, por megjithatë jam shumë krenare që edhe në ekipin zviceran kemi shqiptarë të suksesshëm, që e bëjnë ekipin e Zvicrës akoma më të fortë.
Nëse fiton Kosova si do të festosh e nëse humbë, çfarë do të bësh?
Nëse do të fitojë Kosova, me gjithë zemër dhe shpirt, do të doja të shkoja në Kosovë dhe ta festoja atë moment të mrekullueshëm me gjithë shqiptarët, por edhe në Zvicër kemi shumë shqiptarë dhe nëse nuk do të kisha mundësi të shkoja në Kosovë, do të festoja në Zvicër me gjithë bashkatdhetarët tanë.
Lojtari që pëlqen më së shumti tek Kosova dhe tek Zvicra?
Milot Rashica dhe Granit Xhaka janë dy të preferuarit e mi, të dy ekipeve.

Dr. Alban Neziri, gjinekolog
Një zemër e ndarë në dy pjesë apo një zemër për të dyja ekipet?
Zemra më rrah për Kosovën e kam respekt të pafund për Zvicrën: një zemër për të dyja ekipet
Nëse fiton Kosova si do të festosh e nëse humbë çfarë do të bësh?
Një barazim do të shkaktonte më pak “dhimbje” për të gjithë. Por, zemra ma do që të fitojë Kosova… mjafton të jetë lojë e shkëlqyeshme si u ka hije të dyja ekipeve. Do të festoj pa marrë parasysh rezultatin
Lojtari që pëlqen më së shumti tek Kosova dhe tek Zvicra?
Vedat Muriqi dhe Xherdan Shaqiri
Golat për Kosovën dhe për Zvicrën do t`i shënojnë…?
Vedat Muriqi, Milot Rashica për Kosovën. Ruben Vargas, Cedric Itten, për Zvicrën.

Ramë Beqiri, piktor dhe aktor
 Një zemër e ndarë në dy pjesë apo një zemër për të dyja ekipet?
Është e vështirë këtu me përzgjedh. Jam pak në siklet. Por sërish dëshira ime është të fitojë Kosova, megjithatë përkrahjen time ua jap shqiptarëve të Zvicrës. Me një fjalë sa herë që luan Shqipëria, Kosova e Zvicra, ndaj gëzimin e njëjtë.
Nëse fiton Kosova si do të festosh e nëse humbë çfarë do të bësh?
Si do që të jetë rezultati për mua është fitore që Kosova merr pjesë në një lojë miqësore me përfaqësuesen e Zvicrës. Më vjen mirë dhe ndihem krenar që pas gjitha sfidave që kemi kaluar si popull djemtë tanë na bëjnë krenarë me talentin e tyre.
Lojtari që pëlqen më së shumti tek Kosova dhe tek Zvicra?
Nga Zvicra më pëlqen Xhaka, kurse nga Kosova, Rrahmani.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published.