Njëri prej anëtarëve të grupit terrorist lirohet nga QKUK, dërgohet në paraburgim
V.T., i dyshuari për sulmin terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, që po trajtohej në Klinikën e Ortopedisë së QKUK-së për shkak të plagëve të marra nga shkëmbimi i zjarrit me forcat policore të Kosovës, është liruar nga kjo klinikë.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar drejtori i Klinikës, Gani Jashanica.
“Po, ai është liruar nga klinika jonë ku ishte duke u trajtuar”, tha Jashanica, përcjell albinfo.ch.
Ai është dërguar në paraburgim meqë i është caktuar masa nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për veprat penale “Kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës” dhe “Kryerja e veprave terroriste”.
Më 24 shtator, një grup i armatosur dhe terrorist serb i udhëhequr nga atëherë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, e ka sulmuar policinë ku u vra rreshteri i policisë së Kosovës, Heroi Afrim Bunjaku dhe u plagos edhe polici Alban Rashiti.