“Nuk ndërhyn në ADN”, Gjebrea tregon se si funksionon vaksina kundër koronavirusit

Share

Deputetja e Partisë Socialiste dhe aerobiologia Elona Gjebrea, e ftuar në “Ditari” në A2, siguroi se “nuk ka asnjë rrezik” nga vaksina kundër koronavirusit.

“Njerëzit kanë merak që ndryshon ADN-ja. Nuk ka lidhje me ADN-në dhe nuk duhet të ketë asnjë frikë, nuk mund të ndërhyhet në ADN-në e njeriut. Studiuesit kanë vite që hulumtojnë për vaksinën me ARN mesanxhere dhe kjo vaksinë do të ndihmojë edhe për luftimin e sëmundjeve të tjera”, tha Gjebrea.

Në lidhje me efektet anësore të kësaj vaksine, Gjebrea u shpreh: “Ka efekte anësore si të vaksinave të tjera, por që janë të lehta dhe të durueshme. Fakti që është dhënë aprovimi për t’u përdorur në masë, do të thotë se ka garanci”.

Pavarësisht vaksinës, deputetja socialiste theksoi se duhen respektuar masat e vendosura nga Komiteti Teknik të Ekspertëve: “E kuptoj që njerëzit u lodhën pak me situatën dhe nisën të shpërfillin masat, por është e rëndësishme që këto masa të vijojnë, të shmangen grumbullimet, të mbahet maska dhe të besohet në rekomandimet e Komitetit të Ekspertëve”.

Kur u pyet mbi kallëzimin e PD-së në SPAK ndaj drejtuesve më të lartë të Partisë Socialiste, duke nisur nga Edi Rama, disa ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë nën akuzën se po përdorin funksionin publik për interes elektoral, Gjebrea u shpreh: “Kemi struktura si SPAK që janë në gjendje të vlerësojnë ankimime të tilla. PS përpiqet të respektojë rregullat dhe nuk jap dot koment në lidhje me këtë”.


Share

Komente