December 1, 2021

OBSH: Covid-19 ndikoi në vdekjen e më shumë njerëzve nga tuberkulozi

Shpërndaje lajmin

Ndërprerja e shërbimeve shëndetësore për shkak të COVID-19 ka fshirë vite të tëra përparim në luftën kundër tuberkulozit, me vdekjet në rritje për herë të parë në më shumë se dhjetë vjet, paralajmëroi sot OBSH.

Në raportin e saj vjetor për tuberkulozin për vitin 2020, OBSH vë në dukje se situata është larg përmirësimit, sepse një numër në rritje i njerëzve nuk e dinë se vuajnë nga sëmundja, që mund të trajtohet dhe shërohet, raporton Afp, përcjell Albinfo.ch.

OBSH vlerëson se rreth 4,1 milionë njerëz kanë tuberkuloz, por nuk janë diagnostikuar ose nuk janë deklaruar zyrtarisht, një shifër kjo shumë e lartë në krahasim me 2,9 milionët e vitit 2019.

Tuberkulozi është një sëmundje e shkaktuar nga bacili i tuberkulozit, që prek më së shpeshti mushkëritë.

Sipas raportit, vitin e kaluar pati 214 000 vdekje nga tuberkulozi, midis atyre të sëmurë me HIV (nga 209 000 në 2019) dhe 1,3 milionë vdekje nga tuberkulozi midis njerëzve të tjerë (nga 1,2 milionë në 2019).

“Kjo do të thotë një total prej rreth 1,5 milionë vdekjesh, një situatë që e kthen botën sërish në 2017-n”, theksoi OBSH.

“Ky raport konfirmon frikën tonë se ndërprerja e shërbimeve thelbësore shëndetësore për shkak të pandemisë mund të fillojë të zhbëjë vite përparim kundër tuberkulozit”, tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së.

Ky është një lajm alarmues që duhet të shërbejë si një thirrje globale zgjimi për nevojën urgjente për të investuar dhe për risi, me qëllim mbylljen e boshllëqeve në diagnostikim, trajtim dhe kujdes për miliona persona.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *