OBSH: Popullsia e Gazës është në rrezik të madh
Popullsia e Gazës është “në rrezik të madh” paralajmëroi më 27 dhjetor kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke përmendur urinë akute dhe dëshpërimin e përhapur në mbarë territorin e shkatërruar nga lufta.
OBSH-ja tha se një ditë më herët ka dërguar furnizime në dy spitale – një në veri dhe një në jug – duke theksuar se 21 nga 36 spitale në Rripin e Gazës tashmë janë krejtësisht jashtë funksionit, shkruan REL.
Shefi i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë “hapa urgjentë për të lehtësuar rrezikun e madh me të cilin po përballet popullsia në Gazë dhe që po rrezikon aftësinë e punëtorëve humanitarë për të ndihmuar personat që kanë plagë të tmerrshme, të ndihmojnë në lehtësimin e urisë akute dhe të ulin rrezikun e sëmundjeve të rënda”.
Përmes një deklarate, OBSH-ja tha se stafi i saj të martën ka raportuar se nevoja për ushqim “vazhdon të jetë akute” në mbarë Rripin e Gazës, ndërkaq “njerëzit e uritur sërish kanë ndaluar autokolonat sot me shpresën se do të gjenin ushqime”.