January 23, 2022

Oficerë policie,një prokuror dhe ish-shoqërues të Ministrit të Brendshëm arrestohen në operacion antidrogë

Shpërndaje lajmin

Autoritetet shqiptare dhe prokuroria e Barit kryen një operacion masiv antidrogë gjatë orëve të para të së premtes duke arrestuar disa dhjetëra të dyshuar, përfshirë persona të përshkruar si  “pjesëtarë të grupit të shoqërimit të ish – Ministrit të Brendshëm”.

Foto: Print Screen nga konferenca për shtyp.

Policia Shqiptare arrestoi disa zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të vetët, si dhe një prokuror të Vlorës e dhjetëra të dyshuar të tjerë në përfundim të një hetimi shumëvjeçar të autoriteteve shqiptare dhe italiane, përfshirë dy oficerë policie, të cilët u përshkruan nga SPAK si zyrtarë të cilët, “në kohën e kryerjes së veprave penale – në vitin 2016 –  me detyrën e pjestarëve të grupit të shoqërimit të ish – Ministrit të Brendshëm.”

SPAK nuk e përmendi me emër, por ish-ministri i Brendshëm në vitin 2016 është Saimir Tahiri, i cili u gjykua për trafik ndërkombëtar droge por u gjet i pafajshëm në shkallë të parë për këtë vepër penale. Çështja e tij është në proces rigjykimi. Ai u shpall fajtor në shkallë të parë për abuzim me detyrën. Tahiri është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave.

Operacioni i sotëm duket se lidhet me valën e kultivimit masiv të kanabisit në Shqipëri para zgjedhjeve të vitit 2017 si dhe hedh dritë për kriminalizimin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit deri në nivelet e saj më të larta në atë kohë, por prokurorët thanë në një konferencë për shtyp se katër grupet kriminale të goditura merreshin jo vetëm me trafik marihuane por edhe me trafik heroine e kokaine.

Sipas prokurorit Vladimir Mara të SPAK, operacioni shumëvjeçar ka identifikuar shumë episode të trafikut të drogës ndërsa të premten u kryen sekuestrime preventive të katër kompanive dhe 11 pronave të paluajtëshme në Vlorë, Kavajë e Tiranë. Mes pronave të paluajtëshme, tha Mara, përfshihen restorante, hotele dhe troje ndërtimi.

Mara bëri të ditur se hetimi është mundësuar nga bashkëpunimi me drejtësinë i katër anëtarëve të grupeve kriminale, gjë që ka mundësuar dokumentimin në tërësi të aktivitetit kriminal.

“Në tërësi, në kuadër të hetimeve të sipërpërmendura, janë sekuestruar rreth 6 (gjashtë) tonelata lëndë narkotike të tipit marijunë, kokainë e hashish, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milion euro, për një sasi totale prej rreth 14 milion dozash njëshe që dalin nga shpërndarja me pakicë,” bëri të ditur SPAK.

Në vitet 2016 dhe 2017, Shqipëria njohu një lulëzim masiv të prodhimit të kanabisit në të gjithë territorin e vendit, një fenomen që u shoqërua nga akuzat e opozitës kundër qeverisë për kriminalizim të përgjithshëm si pjesë e strategjisë për fitoren elektorale të vitit 2017.

Sipas prokurorit italian Federico Cafiero de Raho, deklaroi se hetimi u mundësua nga një grup hetimor i përbashkët shqiptaro-italian dhe falënderoi për bashkëpunimin.

Mes të arrestuarve është Maksim Sota, prokuror në Vlorë dhe ish-kandidat për prokuror në SPAK. Ai akuzohet për shpërdorim detyre.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *