October 25, 2021

Operatorët turistikë në krizë për roje plazhi të kualifikuara

Shpërndaje lajmin

Edhe këtë sezon operatorët turistikë në Shqipëri do ta kenë të vështirë ta përmbushin detyrimin ligjor për sigurinë në plazhe, ndërkohë që zyrtarët vendorë paralajmërojnë monitorim të rreptë.  

Robert Neçaj, zv.president i Federatës së Vrojtuesve të Plazhit

Pika e parë e kontratës midis bashkive dhe subjekteve turistike për stacione plazhi është monitorimi i tyre me vrojtues. Shumë subjekte turistike këtë sezon veror do ta kenë të vështirë ta përmbushin këtë detyrim, pasi numri i rojeve të plazhit të cerifikuara është disa herë më i vogël se sa kërkesa e tregut. 

“Për këtë sezon janë certifikuar rreth 700 vrojtues plazhi, ndërsa në total nevojiten rreth 3 mijë stacione,” shprehet Robert Neçaj Zv. President i Federatës “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”, njëkohësisht instruktor për vrojtues plazhi ne Shëngjin  

Ai thekson se vetëm Lezha ka nje vijë bregdetare prej 26 kilometra, ku duhen rreth 200 vrojtues plazhi, por deri tani për këtë sezon janë çertifikuar vetem 70, pra vetëm 1 e 4 e kërkesës. 

Neçaj ankohet se ky profesion nuk vlerësohet nga të rinjtë, pasi pronarët e stacioneve të plazhit nuk janë punëdhënës korrekt. 

“Një pjesë e pronarëve nuk i lejojnë të kryejnë vetëm punën e vrojtuesit, por i ngarkojnë dhe me punë të tjera,” shpjegoi Neçaj, 

“Problem është dhe paga që nuk është e mjaftueshme për punën që kryejnë,” shtoi ai.

Sipas zyrtarit të federatës është e nevojshme të rriten kontrollet. Neçaj thekson se ka shumë subjekte që kanë nënshkruar në mënyrë fiktive kontrata me vrojtues plazhi dhe në kullat e tyre të vrojtimit nuk shihet askush.

Ai shpjegoi se këto kontrata fiktive nënshkruhen sepse ka një vendim të Këshillit të Ministrave që detyron çdo stacion plazhi të punësojë një vrojtues. 

“Ndaj pushteti vendor duhet të ushtrojë më shumë kontrolle në vijën bregdetare dhe të shohë sa përqind e pronarëve të subjekteve private e kanë punësuar vrojtuesin e plazhit,” tha Neçaj. 

“Ju bëjë thirrje të rinjëve që të vinë e të trajnohen e çertifikohen si vrojtues plazhi, pasi është një profesion që sjell sadopak të ardhura,” shtoi ai.

Sipas zv.presidentit të Federatës së Vrojtuesve, kontrollet nga autoritetet duhet të jenë të vazhdueshme dhe të ndërmerren në të gjithë vijën brengdetare të vendit tonë.

“Nëse vrojtuesit nuk i plotësojnë protokollet e përcaktuara do të ndërmarrim masa të ashpra deri në heqje të licencës e ndjekje penale,” tha Neçaj. 

“Siguria në plazhe duhet të jetë prioritet që pushuesit të jenë të sigurtë, ndaj nuk do të tolerohen subjektet që nuk e plotësojnë detyrim ligjor,” shtoi Neçaj.

Bashkia Lezhë bën me dije se nuk do të ketë tolerime ndaj subjekteve që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj gjatë sezonit turistik.

“Siguria ne plazhe është pika e parë dhe më kryesorja në kontratën për stacionet e plazhit,” tha Ermal Pacaj, nënkreytar i bashkisë Lezhë, ndërsa shtoi se “nuk do të ketë tolerime për subjektet që nuk plotësojnë pikat që janë me kontratë, pasi kjo është e përcaktuar me ligj. 

“Gjatë gjithë sezonit turistik do të jemi në terren dhe të gjitha stacionet e plazhit do të jenë në monitorim të vazhdueshem, ku më kryesorja janë kullat e vrojtimit të pajisur me vrojtues plazhi dhe paisjet e nevojshme,” shtoi Pacaj.

Besnik Sula, administrator i një hoteli në Shengjin thotë se të rinjtë hezitojnë të punësohen vetëm për 3 muaj. Ai është detyruar ta paguajë vrojtuesin e plazhit për të gjithë vitin. Sula thekson se punësimi i vrojtuesit të plazhit është një detyrim ligjor dhe biznesi që ai drejton është munduar ta zbatojë ligjin, pavarësisht vështiresive. 

“E vetmja zgjidhje që kam bërë është të paguaj për 12 muaj një vrojtues plazhi që më duhet vetëm për 3 muaj,” tha ai, ndërsa shtoi “se kjo është me shumë kosto, por s’kemi gjetur zgjidhje tjetër.” 

Ndërsa sipërmarrësi Ben Lekaj bëri një zgjidhje tjetër. Që i biri të mos ngelej papunë dhe plazhi pa vrojtues investoi në trajnimin e tij.

“Unë e kam zgjidhur, djali im ka mbaruar kursin,” tha ai, ndërsa shtoi se “për 20 metrat e mia përgjigjem vetë.” 

Lekaj pranoi se shumë subjekte po hasin vështirësi të gjejnë vrojtues plazhi të kualifikuar.

“Kanë kontaktuar me federatën, por numri që ata kanë çertifikuar deri tani është mjaft i ulët dhe nuk i plotëson nevojat qe ka biznesi,” përfundoi ai. 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *