Organizoi ditëlindjen me 30 persona; Policia gjobit Bes Kallakun, Metën, Kryemadhin dhe të ftuarit. Pezullohen 6 efektivë

Share

Policia ka gjobitur me 1.000.000 lekë lokalin ku u organizua ditëlindja me 30 persona e aktorit Bes Kallaku. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bën me dije se janë pezulluar edhe 6 punonjës policie që ‘mbyllën sytë’ dhe nuk ushtruan kontroll të territorit.

Në ditëlindjen e aktorit, ishin të pranishëm figura të njohura të ekranit dhe politikës në vendin tonë. Përveç organizatorit, policia thotë se ka identifikuar nëpërmjet pamjeve të kamerave të gjithë pjesëmarrësit dhe do t’i gjobisë një për një.

Në këtë festë ishte i ftuar dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, përveç personazheve të tjera të njohur.

Policia i bën thirrje administratorëve të lokaleve dhe qytetarëve që të respektojnë me korrektësi masat anticovid duke bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi. 

Kujtojmë se në bazë të Aktit Normativ, festat dhe grumbullimet me mbi 10 persona janë të ndaluara.

Njoftimi i plotë:

Në lidhje me aktivitetin e zhvilluar më datë 20.11.2020 në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, ku shtetasi B.K, kishte organizuar një ceremoni ditëlindje dhe kishte ftuar rreth 30 persona, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë menjëherë mori masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Nga ana e Policisë së Tiranës, u mor masa administrative 1.000.000 lekë për administratorin e lokalit shtetasin F.U., në bazë të aktit normativ nr 3 datë 15.03.2020.

Gjithashtu në bazë të pamjeve filmike janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesmarrës në aktivitetin e zhvilluar  dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese anticovid-19.

Njëkohësisht Drejtori i DVP Tiranë ka pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë .

Drejtoria Vendore e Polcisë Tiranë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid duke bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qyetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital cilindo administrator lokali apo qytetar që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për shëndetin e qytetarëve.


Share

Komente