Osmani takon zv.sekretaren amerikane

Shpërndaje lajmin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës në Kosta Rikë, ka takuar Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, Uzra Zeia.
Presidentja Osmani së bashku me Nënsekretaren Zeia, ka biseduar për progresin e Kosovës në përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci si dhe intensifikimin e bashkëpunimit Kosovë-SHBA.
Të dyja së bashku kanë folur edhe për themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut si dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë, rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat.
Presidentja ka theksuar se Kosova qëndron në të njëjtën vijë me aleatët tanë në mbrojtjen e vlerave demokratike.
“Në këtë kohë kur demokracitë anë e mbanë botës janë bërë cak i drejtpërdrejt i tendencave gjithnjë e në ngritje autoritare, Samiti për Demokraci është platforma që ka bashkuar vendet nga 4 anët e globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato”, ka thënë Presidentja Osmani.
Gjatë vizitës në San José, Presidentja do të takojë udhëheqësit shtetëror të këtij shteti si dhe do të realizojë takime me përfaqësues të shteteve tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published.