November 28, 2021

Pajisja me një vizë po u kushton kosovarëve sa një rrogë mujore

Shpërndaje lajmin

Një rrogë mujore, dokumente të ndryshme dhe ditë pushimi iu deshën Fatmir Gashit nga Fushë Kosova, që të pajiset me vizë pune të shtetit të Gjermanisë. Gashi, i cili punon në sektorin privat, u pajis me këtë vizë para tri ditësh dhe thotë se më e vështira ishte që të merrte ditë të lira pune.

“Në muajin shtator e kam bërë terminin. Në muajin tetor e kam dorëzuar (aplikimin për vizë) dhe para tri ditësh kam marr përgjigje. I kam ditur procedurat, kam paguar sigurim shëndetësor 142 euro për gjashtë muaj, formularët, fotografitë dhe përkthimet (kanë kushtuar) deri në 50 euro. Në ambasadë, për vizë kam paguar 72 euro dhe dhjetë euro për postë. Rroga mujore nuk më ka mjaftuar për këto shpenzime”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian që janë në Kosovë, përfshirë ato të zonës Shengen, vazhdojnë të japin viza udhëtimi për qytetarët që synojnë bashkimin familjar, për biznese, punë, viza për studentë, turistike dhe për raste të caktuara urgjente.

Lulëzim Veseli, pronar i agjencisë turistike “Luli Travel” në Skenderaj, thotë se interesimi i qytetarëve për të caktuar termin në Ambasadën e Gjermanisë dhe atë të Zvicrës është jashtëzakonisht i madh. Sipas tij, një qytetar paguan mbi 200 euro për shërbimet për aplikim dhe rregullim të dokumenteve për të udhëtuar në Gjermani. Kjo vlerë është më e lartë për qytetarët që aplikojnë për vizë në shtetin e Zvicrës.

Veseli tregon se në shumicën e rasteve aplikimet refuzohen dhe qytetarët ankohen tek agjencitë e udhëtimeve.

“Pas përgjigjes negative për vizë, qytetarëve nuk u kthehen paratë për shërbime, përveç sigurimit shëndetësor. Ata vijnë te ne dhe ankohen”, thotë ai.

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që nuk ka ende liberalizim të vizave, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

Liberalizimi i vizave Kosovës i është premtuar që nga viti 2011. Ndërkaq, në vitin 2018 Komisioni Evropian ka konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së heqjen e regjimit të vizave. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Për procesin e liberalizimit të vizave, më 12 nëntor, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës kanë mbajtur takim me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jorn Rohde.

Kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, pas takimit u shpreh se diskutimi me ambasadorin Rohde ishte i ndarë në disa fusha duke nisur nga liberalizimi i vizave, dialogu dhe bashkëpunimi i ndërsjellët i të dyja shteteve.

Sa i përket vizave, Abazi thotë se ambasadori gjerman ka thënë se përkushtimi i Gjermanisë është që ky proces të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian janë për dhe konsiderojnë se të gjitha kushtet janë përmbushur. Mirëpo, edhe rekomandimi i ambasadorit ishte që angazhimi ynë drejt vendeve skeptike të jetë i drejtpërdrejtë, meqë edhe aty nevojitet angazhim i përbashkët”, thotë Abazi.

Franca dhe Holanda janë ndër shtetet më skeptike sa i takon heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

Në BE nuk ka lëvizje drejt vendimit për liberalizim

Nga Bashkimi Evropian nuk ka asnjë lëvizje drejt vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndonëse janë shpeshtuar thirrjet që kjo të ndodhë.

Komisioni Evropian vazhdon të përsërisë qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe rekomandon liberalizimin e vizave. Edhe Parlamenti Evropian vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë dhe kërkon që “pa vonesa” të liberalizohen vizat për Kosovën.

Thirrjet për liberalizim të vizave për Kosovën bëhen me vërejtjen se një gjë e tillë do të ndihmonte në rritjen e besueshmërisë të BE-së në rajon dhe do të ndihmonte edhe në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Por, çështja mbetet e bllokuar në Këshill në nivel të grupeve punuese dhe nuk ka ndonjë plan që kjo të ndryshojë para fundit të këtij viti.

Burimet diplomatike në Bruksel nuk janë optimiste as rreth mundësisë që ndonjë ndryshim të ndodhë në fillim të vitit që vjen.

Franca përmendet si një nga kundërshtaret më të mëdha deri tash të liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky vend në pjesën e parë të vitit që vjen do të ketë kryesimin e radhës së BE-së, po ashtu edhe zgjedhjet. Gjasat që Franca të vendosë këtë çështje në rend dite dhe të angazhohet për heqjen e vizave, nuk janë të mëdha. Eventualisht nga fundi i Presidencës franceze, pra diku afër qershorit të vitit 2022, gjërat mund të lëvizin.

Ndër arsyet që janë pengesë për liberalizimin e vizave për Kosovën janë edhe përvojat jo të mira që disa shtete të BE-së, sidomos Franca, kanë me keqpërdorimin e lëvizjes së lirë nga ana e qytetarëve të shteteve që kanë liberalizim, si Shqipëria, Gjeorgjia, Serbia dhe shtetet tjera.

Abazi: Zhvillime pozitive priten pas zgjedhjeve në Francë

Edge deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, thotë se ndonjëherë proceset në Bashkimin Evropian varen edhe nga politikat dhe zhvillimet nacionale të shteteve anëtare të bllokut evropian.

“Presim zhvillime pozitive dhe përfundim të këtij procesi pas zgjedhjeve në Francë. Në vizitat që kemi, sidomos në Bruksel me anëtarët e Parlamentit Evropian nga shtetet tjera që kanë mundur të shfaqin një dozë të skepticizmit, kemi biseduar, jemi në vazhdim të bisedimeve është e mirë që njëri, shteti i dytë që ka shfaqur këtë skepticizëm, duket më i relaksuar sa i përket çështjes se vizave”, thotë Abazi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 6 tetor, në samitin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është mbajtur në Slloveni, ka thënë se “kanë kaluar më shumë se tre vjet që Komisioni Evropian ka rekomanduar për të dytën herë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”.

Ai ka thënë se pasur padrejtësi të madhe dhe mungesë të drejtësisë ndaj qytetarëve të shtetit të Kosovës, që sipas tij, kanë vuajtur shumë.

“Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Evropian do t’i qëndrojë besnik esencës së tij, zgjerimit”, ka thënë Kurti./rel


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *