Pak rrjeshta për Ylli Cufen

Share

Në Korçë thuajse e njohin të gjithë, por edhe shumë nga brezat e sportit të para 20 viteve kur Ylli arbitronte.

Sot u nda nga jeta pas një pabesie të zemrës një qytetar i mirë, i rrallë sepse gjithmonë e shikoje duke qeshur, vrapuar apo shërbyer.

Unë e mbaj mend diku pas viteve 90, kur ai tek obori i ish-PD-së së vjetër, (përballë Mësonjëtores së Parë Shqipe), shiste gazetat, më pas dhe disa libra.

Kishte një kioskë të vogël aty nga brenda e më vonë iu spostua tek ish-axhensia ku vazhdoi aktivitetin e tij.

Gazeta, libra, telebingo por kurrë nuk ju nda sportit dhe Skënderbeut si tifoz, dikur edhe arbitrimit.

Ylli Cufe, dikush e quante edhe Ylli i Telebingos për shkak të punes, ishte një nga ata personazhe që e njihte i gjithë qyteti, dikush shkonte për një telebingo, shpesh shumë qytetarë nga duart e tij merrnin gazetat, ai kishte pikën kryesore të shpërndarjes së tyre në qytet.

Një pikë shitje gazetash e filluar në një cep të ish-PD-së, më tej tek ish-axhensia, arbitrimi, dhe buzëqeshja që si mungoi kurrë e bënë Ylli Cufen një figurë që qyteti e respektonte si një njeri punëtor dhe i palodhur që shërbente çdo ditë pa pushim.

“Zoti merr pranë më të mirët” thonë të vjetrit, dhe Ylli ishte një nga ata që iku shpejt.

Gjithmonë do kujtohet me respekt si qytetari model që ishte pjesë e medias të shkruar, siç janë gazetat, me kontributin e tij të përditshëm për të shpërndarë lajmin në çdo cep të Korçës. Arbitri dhe tifozi model që do i mungojë qytetarisë korçare.

Paqja në shpirtin tënd të mirë i veçanti Ylli Cufe. Lamtumirë!/ Elvi FUNDO-CNA.al


Share

Komente