Pandemia e ardhshme mund të jetë edhe më ‘vdekjeprurëse’

Share

Shkencëtarja që krijoi vaksinën antiCovid të Oxfordit dhe AstraZeneca ka paralajmëruar se pandemia e ardhshme mund të jetë “më vdekjeprurëse”, e bën thirrje që bota të jetë më e përgatitur.

Sarah Gilbert tha se duhen nxjerrë mësime nga situata e koronavirusit. “Kjo nuk do të jetë hera e fundit që virusi do të kërcënojë jetën tonë. E vërteta është që, pandemia e ardhshme do të jetë më e keqe. Mund të jetë më ngjitëse ose më vdekjeprurëse, ose të dyja së bashku”, tha Gilbert. “Përparimet që kemi bërë dhe njohuritë që kemi fituar, nuk duhet t’i humbasim”, shtoi ajo.

Vaksina e prodhuar nga Universiteti i Oxfordit dhe kompania AstraZeneca ishte e para kundër koronavirusit që fillimisht u miratua për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar dhe aktualisht përdoret në mbi 170 shtete të botës.

Për shkak të rolit të saj në zbulimin e vaksinës, Gilbert është nderuar nga Mbretëresha Elizabeth II e cila ia ka ndarë titullin Damë. Ajo ka punuar në prodhimin dhe testimin e vaksinave për më shumë se një dekadë, kryesisht duke përdorur antigjenët nga malaria dhe gripi dhe nisi projektin për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit në fillim të vitit 2020, pasi virusi u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019.

 

Komento