Momente paniku u shfaqën sot në takimin e Serisë B, Askoli-Salernitana. Mesfushori polak i Salernitanës, Patrik Dziçek ra në fushë në minutat e fundit të takimit duke krijuar alarm. Shokët e skuadrës dhe stafi mjekësor i Salernitanës ndërhynë menjëherë dhe arritën të sillnin në vete futbollistin.
Më pas, 22-vjeçari u transportua në spitalin Maconi të Askolit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
“Futbollisti pati një krizë të shkaktuar nga nervi vagus. Është i njëjti rast si në shtatorin e kaluar. Më parë, janë kryer teste neurologjike dhe kardiake, por nuk janë shfaqur probleme. Tani do të kryhen më shumë analiza”, u shpreh mjeku i Salernitanës, Epifano D’Arrigo.
Patrik Dziçek ka pësuar një tjetër krizë të tillë gjatë seancës stërvitore me Salernitanën në 21 shtator 2020.
Për sa i përket nervit vagus, është nervi më i gjatë i sistemit automatik nervor dhe kontrollon zemrën, mushkëritë dhe sistemin e tretjes.