December 8, 2021

Para për lindjet, procedohet penalisht gjinekologia në Berat

Shpërndaje lajmin

Një mjeke gjinekologe u procedua penalisht në Berat, pasi akuzohet për marrje ryshfeti gjatë ushtrimit të detyrës. Së bashku me mjeken, policia tha, se nisi hetimet dhe ndaj një qytetareje, e cila pagoi gjinekologen për operacionin e lindjes së kunatës së saj.

Drejtoria e Policisë së Beratit. Foto ilustruese: Eriola Azizolli

Një hetim pesë mujor i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Berat,  përfundoi të mërkurën me nisjen e procedimit penal në gjendje të lirë, për një mjeke obstetër-gjinekologe, e cila sipas akuzës merrte para nga pacientët.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të përfitimit në mënyrë të parregullt në disa raste të vlerave monetare nga mjekja  gjinekologe me inicialet  E.Sh. Mjekja Procedohet penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, tha policia e Beratit, në një njoftim për shtyp, mesditën e së mërkurës.

Sipas policisë hetimi ndaj mjekes kishte nisur pesë muaj më parë, pas denoncimit nga ana e një qytetareje, që pretendoi se për çdo vizitë kishte paguar në shuma të ndryshme dhe se i ishte mohuar shërbimi në një rast që nuk kishte bërë pagesë.  Denoncimi i mbërritur mjaftoi që të hetohen dhe raste të tjera grash dhe vajzash nga zona të ndryshme të qarkut, të cilat pranuan se çdo herë kishin paguar mjeken.

“Hetimit treguan se kjo mjeke gjatë kryerjes së vizitave dhe operacioneve të lindjes, merrte vlera monetare nga familjarët e shtetaseve që i nënshtroheshin operacionit për të kryer lindjen”, tha policia.  Gjithashtu u procedua penalisht edhe shtetasja M.G,  e cila i ofroi një shumë parash mjekes për të kryer operacionin për kunatën me  qëllim lindjen e fëmijës.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *