Paralajmërimi për bllokim të pikave kufitare me Kosovën, Policia me plan operativ

0
Shpërndaje lajmin

Kryetari i së ashtuquajturës “Shoqatë e qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë”, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Siç raportojnë mediat serbe Rojeviq se bllokada do të organizohet nga shoqatat vendase të qytetarëve nga Kosova dhe se katër nga pesë vendkalimet kufitare nga drejtimi i Serbisë qendrore dhe Malit të Zi do të bllokohen.
“Bllokada do të fillojë në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës. Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të merr kontrollin e veriut të Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, bllokadat do të zgjasin derisa të plotësohen kërkesat e qytetarëve.
“Ne do të bllokojmë vendkalimet Bërnjak, Jarinje dhe Merdar nga ana e Serbisë qendrore, dhe kalimin Kulla në rrugën Pejë-Rozhajë nga ana e Malit të Zi. Vendkalimi Konçul nuk do të bllokohet tani për tani. Do të lejojmë vetëm automjete spitalore, si dhe të gjitha automjetet dhe pasagjerët e tjerë me dokumente serbe. Nëse dokumentet serbe nuk janë të vlefshme në Kosovë, atëherë dokumentet e Kosovës nuk mund të jenë të vlefshme as në Serbinë qendrore”, tha Rojeviq duke shtuar se të jenë të paktën 400 persona në bllokadë në çdo vendkalim.
Nga Policia e Kosovës, në veri, kanë thënë se, si çdo herë, edhe tani kanë plan veprimi.
Zëvendësdrejtori i Policës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se PK ka planet operacionale dhe nuk e zë diçka në befasi.
“Gjithmonë kur kemi informacione se diçka mund të ndodhë ne kemi planet operacionale nuk na zë diçka në befasi në rast se kemi bllokim të pikave kufitare …”, tha Elshani,
Lidhur me këtë paralajmërim ka reaguar KFOR-i.
Sipas tyre, është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme.
“Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë thotë se po i ndjek nga afër zhvillimet aktuale dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Ndërkaq, në përgjigje KFOR-i ka thënë se komente tjera lidhur me çështjen e paralajmërimit për bllokim kufijsh, mediat t’i drejtohen autoriteteve të Serbisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje të mërkurën vonë shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të, siç tha, paralajmërimeve për bllokimin e rrugëve në Serbi që çojnë drejt vendkalimeve kufitare këtë javë.
Në një njoftim në Facebook, MPJD tha se një i “ashtuquajtur ‘Këshill Organizativ për Bllokada’ në Serbi” ka bërë të ditur se më 6 shtator ka ndër mend t’i bllokojë rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën.
Ajo u kërkoi “të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”.
Ky njoftim vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës e kanë ndërmarrë një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – duke nxitur edhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare.
Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *