Paralajmëron Kurti: Do t’i jap fund epokës “Rroga e vogël, fitimi i madh!”

Shpërndaje lajmin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke arsyetuar koncept-dokumentin që i hap rrugë ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka thënë se me qeverisjen e tij, do t’i jepet fund epokës ku dominonte parulla “Rroga e vogël, fitimi i madh”.

Këtë paralajmërim ai e bëri për, siç tha, ata që dikur “kishin duart në buxhetin e shtetit” e që “nuk ju mjaftonin pagat e privilegjet”.

“Në kuptimin e ngushtë, pasuria e paligjshme është çdo pasuri që është fituar në rrugë joligjore, por në një përkufizim më të gjerë, pasuri e paligjshme është çdo pasuri e cila nuk arsyetohet. Shembull i tillë është kur pasuria që një person posedon nuk përkon me nivelin e të ardhurave të ligjshme mujore dhe veprimeve tjera të ligjshme. Në Kosovë, për më shumë se dy dekada, në masë të madhe ka sunduar paligjshmëria, herë në mungesë të ligjeve e më shumë në mungesë të zbatimit të tyre. Zbrazëtira ligjore dhe jo efikasiteti i organeve të drejtësisë ka krijuar hapësirë për rritje të kriminalitetit dhe një kulturë të pandëshkueshmërisë ku ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit e kanë keqpërdorur atë për të përfituar personalisht. Rrjedhimisht shumë zyrtarë të lartë, e të tjerë të mesëm të lidhur me ta, kanë krijuar pasuri marramendëse duke keqpërdorur taksat e qytetarëve”, ka thënë ai në një video të postuar në Facebook.

Kurti ka paralajmëruar themelimin e një agjencie të re joprokuroriale, e cila, sipas tij, synon të jetë e specializuar për luftimin e kriminalitetit dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme.

“Vendi ynë është i vogël dhe i varfër por qytetarët tanë janë të ndershëm e të përgjegjshëm dhe duan një shtet të drejtë dhe të barabartë. Shteti juaj me qeverisjen tonë e tuajën duhet t’i jap fund e do t’i jap fund epokës së deritanishme ku dominonte parulla: “Rroga e vogël, fitimi i madh!” ka thënë Kurti.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *