Shpërndaje lajmin

Lidhur me praninë e paralajmëruar të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në fushjatën zgjedhore të Partisë Socialdemokrate (SP) të Zvicrës, kanë shkruar gjerësisht mediat zvicerane sot. Në varësi nga përkatësitë partiake dhe pereferencat politike, reagimet kanë qenë të ndryshme, shkruan albinfo.ch. Duke pasur parasysh spektrin politik zviceran, të mbizotëruar nga partitë e djathta, është e kuptueshme që të ketë më shumë zëra kritikë se sa miratues.
Ndër këta të fundit, që vizitën e Kurtit e shohin nga një perspektivë pozitive është komenti i kolumnistit Jörg Ackermann, i botuar në disa gazeta zvicerane, ndër të tjera në gazetën Tagblatt dhe Zuger Zeitung.
Në vazhdim, komenti i tij, i përkthyer shqip.
Para zgjedhjeve të vjeshtës, disa parti garojnë për votat e popullatës etnike shqiptare në Zvicër, mbi të gjitha PS-ja. Tashmë edhe kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, duket se do” t`i bie daulles” propaganduese për “kameradët” (shokët e partisë simotër, të majtë). Kjo është një shenjë e mirë.
Ndoshta nuk ka asnjë grup emigrantësh, imazhi i të cilit ka ndryshuar për mirë në vitet e fundit si ai i Kosovës, transmeton albinfo.ch. E nisën futbollistët. Pa Xhakën, Shaqirin apo Behramin, nuk do të kishte ngritje në kombëtaren e Zvicrës. Pastaj erdhi muzika. Shumë yje të rinj të estradës zvicerane si EAZ apo Loredana kanë rrënjë shqiptare.
Dhe tani politika: Në pranverë, Ylfete Fanaj nga Lucerni ishte politikania e parë me prejardhje kosovare që u bë pjesë e një qeverie kantonale.
Nuk është çudi që disa parti po konkurrojnë për votat e diasporës kosovare në prag të zgjedhjeve të vjeshtës, mbi të gjitha PS-ja. Tani shefi i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, thuhet se do të ndihmojë shokët nga PS. Palët e tjera janë të indinjuar, por ky eksitim i tyre është vështirë të kuptohet. Aq më tepër që është e diskutueshme se sa të rinj kosovarë të brezit të dytë, me imazhin e tyre familjar ndonjëherë shumë tradicional, do të votojnë për PS-në.
Diçka tjetër është e rëndësishme këtu : Studime të ndryshme kanë treguar se pjesëmarrja në votime e popullsisë etnike shqiptare (në Zvicër) është shumë e ulët, shumë më e vogël se ajo e komuniteteve tjera të huaja.
Prandaj, nëse paraqitjet si ndihma e Kurtit ndihmojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe interesimit të tyre për politikën zvicerane – aq më mirë, transmeton albinfo.ch. Kushdo që voton, tregon se dëshiron të ndihmojë në ngritjen e “shtëpisë” së tij të re (Zvicrës). Nuk ka një formë më të mirë të integrimit. Do të ishte një hap i mëtejshëm drejt një historie të vërtetë suksesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *