Parisi përgatitet për Olimpiadë, njësia elitë e kundërterrorizmit garanton sigurinë 

0
Shpërndaje lajmin

Parisi është duke u përgatitur për të pritur Lojërat Olimpike të cilat do të zhvillohen nga data 26 korrik deri më 11 gusht. Veç organizimit, autoritetet franceze kanë edhe një angazhim po aq të rëndësishëm, sigurimin e rendit.
Krahas 50 mijë policëve dhe ushtarëve që do të angazhohen për të garantuar sigurinë, janë edhe 350 efektivë të njësisë elitë speciale të kundërterrorizmit në Francë, siç janë GIGN që do të angazhohen në ceremoninë hapëse.
Gjenerali Ghislain Rety tha: “Lojërat Olimpike janë eventi më i madh në botë dhe ndodh vetëm një herë në 4 vite. Ka një kontekst gjeopolitik që nuk ka nevojë ta përmend dhe ky është një nga eventet më të mëdha të të gjitha kohërave, ku me mijëra efektivë të GIGN po mobilizohen pa asnjë ndërprerje, ditë pushimi dhe veçanërisht për datën 26 korrik, ku do të jetë dhe ceremonia hapëse”.
GIGN është pjesë e xhandarmësisë franceze dhe është krijuar që në vitin 1972, menjëherë pas tragjedisë së ndodhur në Lojërat Olimpike të Mynihut, ku 11 atletë izraelitë mbetën të vrarë nga sulmi i një grupi të armatosur palestinez. Njësia taktike në fjalë merret me lirimin e pengjeve, misionet antiterror si dhe ato me rrezik të lartë.
GIGN janë duke simuluar një rast pengmarrje në një ndërtesë të madhe në Paris. Njësia ndërhyn menjëherë për të bërë të mundur neutralizimin e agresorëve dhe shpëtimin e pengjeve.
Lideri i GIGN shprehet: “Këto lloj ushtrimesh zhvillohen në ambjente shumë të mëdha, me shumë njerëz të përfshirë, pengje, madje edhe terroristë. Për ne është shumë e rëndësishme që në një pikë të misionit të sulmojmë me shpejtësi dhe forcë, të neutralizojmë terroristët sa më shpejt të jetë e mundur dhe mbi të gjitha të shpëtojmë sa më shumë jetë njerëzore”.
Që prej vitit 2015, ku sulmet terroriste i morën jetën 130 personave në Paris, kryeqyteti francez ka qenë në alert. Ceremonia hapëse e cila do të tërheqë rreth 300 mijë shikues përgjatë 6 kilometrave në brigjet e lumit Sena do të jetë me të vërtetë një sfidë për njësinë speciale.
“Dua t’u them të gjithëve se do të jetë një event shumë i bukur dhe nuk duhet të kenë frikë për të ardhur në Francë. Sigurisht, rreziku zero nuk ekziston, do të ishte e pandershme të thonim që nuk ka asnjë risk, por ne do ta minimizojmë sa më shumë të jetë e mundur. Pra, do të kemi lojëra shumë të bukura”, premtoi Rety.
Për shkak të luftës në Ukrainë dhe Gaza, çështja e sigurisë është komplikuar. Presidenti francez Emmanuel Macron hodhi mundësinë dhe për të pasur një plan të dytë për ceremoninë.
“Do të ketë sigurisht një plan specifik në bashkëpunim edhe me delegacionet, me atë izraelit dhe ndoshta dhe me delegacionet e tjera që janë sensitiv”, tha gjeneral Rety.
Në ceremoninë hapëse në ndërtesat gjatë lumit Sena do të vendosen snajper dhe rreth 50 mijë policë dhe ushtarë do të sigurojnë Parisin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *