April 15, 2021

Peja turistike ju oforon pushime me plote aventura

Shpërndaje lajmin

NJË OFERTË TURISTIKE E PASUR

Planifikimi i pushimeve shpeshherë kërkon kohë për t’ia përkushtuar hulumtimit të destinacioneve dhe ofertës në ato destinacione. Viti 2020, apo viti i pandemisë, solli vështirësi edhe për turistët, edhe për operatorët turistikë, pasi udhëtimet pothuajse u pezulluan dhe numri i vizitorëve ra dukshëm. Ndaj dhe rekomandimet e shumë ekspertëve të fushës së turizmit tani janë të orientuara në pushime aktive. Si janë pushimet aktive? Janë ditë të mbushura përplot eksperienca dhe përjetime nga më të ndryshmet nëpër aktivitete rekreative, si edhe qëndrim sa më shumë në natyrë.

Kosova ka shumë destinacione me ofertë të pasur turistike. Një ndër destinacionet më të njohura në vend është Peja.  Ky qytet ka një ofertë mjaft të pasur turistike me aventura në natyrë dhe përjetime të historisë, kulturës dhe gastronomisë. Pavarësisht sa kohë keni planifikuar për pushimet tuaja: vetëm një ditë, një javë apo edhe dy javë, në këtë destinacion mund të planifikoni paraprakisht eksperiencat tuaja dhe të përjetoni pushime me shumë aventura.

Sa dimë për Pejën

Peja është qytet tërheqës. Jo më kot njihet edhe si qyteti i “Gjelbër dhe Vital”. Peja shtrihet në pjesën perëndimore të Kosovës dhe është portë hyrëse në parkun nacional Bjeshkët e Nemuna.

Qasja në qytetin e Pejës është shumë e lehtë dhe për të arritur këtu mund të shfrytëzoni transportin hekurudhor Prishtinë – Pejë, transportin rrugor me autobus me linja të regullta dhe të shpeshta nga rajoni dhe Evropa apo edhe me makinën tuaj. Distanca nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë është 70 km, nga aeroporti i Tiranës “Nënë Tereze” është 253 km, nga aeroporti i Podgoricës është 230 km, ndërsa nga aeroporti i Shkupit është 182 km.

Përveç bukurive natyrorore, Peja është destinacion i pasur edhe me trashëgimi kulturore, ndaj oferta turistike e Pejës është e përbërë nga kombinimi i këtyre bukurive me trashëgiminë e saj dhe është e shtrirë në tri nivele ku pushimet tuaja mund të zgjasin nga 1 ditë deri në 14 ditë, të mbushura përplot aktivitete dhe përjetime.

Oferta lokale që përfshin vetëm Pejën ofron eksperienca nga një shëtitje në kohërat historike. Mund të përjetoni historinë e zhvillimit të qytetit të Pejës që nga kohërat Ilire e deri më sot. Ky organizim ofron vizita në objektet e trashëgimisë kulturore e deri tek zhvillimet kulturore-tradicionale që ngjallin përjetime dhe ndjenja të papërshkruara për të gjithë vizitorët. Vizita e shtegut kulturor ofron njohuri për historinë e Pejës, zhvillimet e saj në periudha të ndryshme, vizita kullave, çarshisë së vjetër dhe artizanatet, objektet fetare, Me Haxhi Zekës, Muzeun e Pejës ku mund të shihni artifakte të ndryshme të trashëgimisë në ekspoziten e saj. Një nga përvojat që do t’ju mbesin gjatë në shijen tuaj është ushqimi tradicional që ofrohet në restorane me ambient të ngrohtë.

Përveç ofertës kulturore, Peja ka edhe ofertën natyrore e cila është shumë e pasur me aktivitete të ndryshme. Ecja në natyrë në Bjeshkët e Rugovës është një aktivitet shumë i kërkuar dhe mund të realizohet nga të gjitha moshat pasi që shtigjet kalojnë në terrene shumë të përshtatshme. Pastaj vjen Via Ferrata si përvoja unike që ofrohen në Kosovë dhe rajon ku arrini të përjetoni lartësinë me ndjenjën e adrenalinës, si dhe panorama që ofron Gryka e Rugovës.

Përfshihet vizita e shpellave “Bukuroshja e Fjetur” në Radavc dhe Gryka e Madhe në Rugovë, biçiklizëm malor dhe në pjesët fushore, ngjitje në shkëmbinj, fluturim mbi qytetin e Pejës me paraglide, Zip Line e cila ka gjatësi prej 640 m dhe arrin shpejtësinë deri në 40km/h, Parku i Aventurave që është shumë i përshtatshëm për familje me fëmijë, ekskursione të tjera edukative me familje dhe shoqëri, vizita në atraksione si Gryka e Rugovës, Ujëvara e Dinit të Bardh, Liqenet e Rugovës në 1,860 m lartësi apo edhe pushtimi i majeve malore mbi 2,000 m janë këto eksperienca të cilat mund t’i përjetoni gjatë sezonit pranverë-verë. Kjo është një ofertë që mund të organizohet për ju gjatë një dite apo edhe për një fundjavë të plotë.

Oferta rajonale ofron përjetime në nivel më të gjerë. Aty përfshihen eksperiencat e Rrafshit të Dukagjinit që përfshin 6 komunat e pjesës perëndimore të Kosovës. Kjo është një ofertë që mund ta përjetoni deri në 6 ditë, ku çdo ditë e juaja do të jetë ndryshe dhe me përjetime të ndryshme. Edhe këtu përfshihet trashëgimia kulturore, histori dhe tradita. Këtë pjesë mund ta realizoni edhe me biçikleta, pasi është pjesë e rrafshët.

Oferta rajonale është e lidhur edhe përmes shtegut malor të ecjes e njohur si “Përjetimi në Dukagjin”. Është një ofertë që zgjat deri në 7 ditë dhe është e mbushur me plotë përjetime gjatë shtegtimit tuaj. Është e dizajnuar të kalojë përgjatë bukurive më të mëdha të natyrës së Bjeshkëve të Nemuna duke filluar në Bjeshkët e Rugovës ku përjetohen Gryka e Rugovës, pamjet panoramike dhe peizazhet e Bjeshkës së Hajlës dhe Gurit të Kuq, vizita e Shtegut të Ujvarës, liqenet në lartësi prej 1,860 m, nga ku shtegu vazhdon përmes Lugut të Shkodrës që dikur ka qenë shteg malor i karavaneve tregtare që e kanë lidhur Shqipërinë dhe vendet tjera të Evropës për të kaluar pastaj në Bjeshkët e Deçanit nga ku mund të shijoni peisaxhe të mrekullueshme. Më pas mund të ngjisni Majën e Gjeravicës prej 2,565 m lartësi, që është maja më e lartë në Kosovë. Prej aty mund të kaloni në Bjeshkët e Junikut për të përfunduar në Junikun e bukur me kullat e veta tradicionale. Eksperiencat e këtij udhëtimi në Bjeshkët e Nemuna pasurohen nga pjesa e kulturës dhe e trashëgimisë së banorëve vendas të këtyre zonave malore të cilët ende i ruajnë dhe i përcjellin ndër breza të tyre traditat e vjetra.

Oferta ndërkufitare është për të gjithë ata që dëshirojnë ta përjetojnë edhe kalimin e kufijve dhe të kenë eksperienca edhe më intensive në natyrën e paprekur. Këtu mund të shfrytëzoni shtegun “Majat e Ballkanit” (ne anglisht njihet si “Peaks of the Balkans”) që kalon nga Kosova për në Malin e Zi dhe Shqipëri, apo thënë më mirë, prek të gjitha vendet që ofrojnë përjetime unike. Ky shteg kalon përmes një prej rajoneve malore më të largëta dhe më të ashpra të Ballkanit Perëndimor. Eksperienca juaj e ecjes kalon përgjatë shtigjeve të barinjve dhe shtegu gjarpëron nëpër male të larta alpine që arrijnë në lartësi deri në 2,300 metra mbi nivelin e detit duke kaluar përmes peizazheve më të bukura malore që të lënë pa frymë, duke shkelur nëpër luginat e gjelbëra e deri te liqenet malore të kristalta, ujëvarat, lumenjtë dhe fshatrat e largët piktoresk të Bjeshkëve të Nemuna.

Pra, ky është një shteg që në Evropë njihet edhe si “thesar i fshehur” për adhuruesit e natyrës dhe alpinistët. Ky shteg ka gjatësi prej 192 km dhe mund të realizohet në 10 etapa që mund të zgjasin deri në 14 ditë varësisht nga kondicioni juaj fizik dhe psiqik. Që ky shtegtim i juaji të jetë edhe më i pasur me informacione, përjetime dhe eksperienca, ju rekomandojmë që të angazhoni guida malore lokale të cilët janë të trajnuar me standard të DAV (Deutscher Alpen Verein) dhe të cilët do t’ua bëjnë këtë ecje edhe më madhështore.

Ky shteg është pranuar edhe nga WTTC – Këshilli Botëror për Turizëm dhe Udhëtime – si përvojë unike dhe në vitin 2013 ka fituar edhe çmimin e parë si “Tourism for Tomorrow” (Turizmi i së nesërmes). Për më shumë mund të kërkoni infomata edhe në linkun: www.peaksofthebalkans.com  

 

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *