Pentagoni: S’mund të barazohet agresioni rus me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999

Shpërndaje lajmin

Zëvendës asistentja e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi në një intervistë për Zërin e Amerikës, edicionin në gjuhën serbe, Laura Cooper, ka thënë se s’mund të barazohet sulmi i paprecedentë i Rusisë mbi Ukrainën me intervenimin e NATO-së dhe bombardimin e Jugosllavisë në vitin 1999.
Cooper ka thënë se ajo çfarë po ndodh tani është një sulm i një fuqie të madhe kundër një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike, fuqi e cila gjithashtu synon të uzurpojë vende të rëndësishme të Ukrainës dhe që sulmon civilët dhe shkatërron edhe ndihmat humanitare.
“Aboslutisht nuk mund të barazohet. Ajo çfarë ju shihni tani është që një fuqi e madhe ka vendosur të sulmojë një qeveri të zgjedhur më mënyrë demokratike dhe pa asnjë arsye po provon të uzurpojë vende të rëndësishme të shtetit duke bombarduar popullatën civile dhe duke shkatërruar edhe ndihmat humanitare. Absolutisht nuk është e njëjta. Unë jam e sigurt se populli i Serbisë mund ta vëzhgojë popullin e Ukrainës me sytë e tij dhe të kuptojë se çfarë lloj shkatërrimi po përballen dhe se ata duan ta mbështesin atë”, ka thënë Cooper.
Cooper ka folur edhe për Serbinë dhe blerjen e armatimeve nga Rusia nga shteti që drejton Aleksander Vuçiq. Zyrtarja amerikane ka thënë se dihen qartë pasojat për ata që vlejnë pajisje ushtarake nga Rusia.
“Ne kemi pasoja të qarta për vendet në mbarë botën që duan të blejnë pajisje ushtarake ruse. Ky është ligji i CATSA – dmth kundërshtimi i kundërshtarëve amerikanë përmes sanksioneve. Dhe ky është statuti që ne duhet t’i përmbahemi. Kjo nuk është përgjegjësi e Sekretariatit të Mbrojtjes, por e kolegëve të mi në Departamentin e Shtetit. Por tashmë ka pasoja shumë të qarta përsa i përket sanksioneve për blerjen e pajisjeve të rëndësishme ushtarake ruse. Pra, kjo është një fushë ku ne tashmë kemi një hartë të qartë rrugore”, ka thënë Cooper, e pyetur se cilat do të ishin pasojat nëse Serbia vendos të vazhdojë bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.
“Nuk është në interesin e Serbisë që të jetë partner i ushtrisë së Rusisë që në mënyrë brutale po i sulmon popullatën civile në Ukrainë”, ka thënë ndër të tjera Laura Cooper.
Teksa ka komentuar luftën në Ukrainë, zyrtarja e Pentagonit ka thënë se Rusia pavarësisht premtimeve për reduktim të aktivitetit ushtarak në disa zona, po vazhdon të sulmojë civilët.
“Moska po ndryshon retorikisht strategjinë e saj, duke pretenduar se po ndjek një qëllim të ndryshëm nga ai që ishte në të vërtetë qëllimi i saj fillestar – të përmbyste qeverinë në Kiev. Megjithatë, në terren, Rusia ende po përdor të njëjtat taktika shkatërruese kundër popullatës civile. Populli i guximshëm ukrainas po i reziston presionit shkatërrues të forcave ruse, të cilat padyshim po sulmojnë popullsinë civile. Dhe kjo është një taktikë që Rusia vazhdon ta përdorë,” ka thënë tutje Cooper./GazetaExpress

Leave a Reply

Your email address will not be published.