Përcillet mbreti i fundit në Greqi, qeveria i mohon funeralin Kostandinit të II-të
Anëtarë të familjeve mbretërore evropiane u mblodhën në Athinë për t’i dhënë lamtumirën mbretit të fundit të Greqisë, Konstandini i Dytë.
Monarku ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 82-vjeçare pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua si pasojë e një goditjeje në tru.
Mbi 200 persona ishin të pranishëm në ceremonialin privat, i mbajtur në Katedralen Metropolitane të Athinës.
Edhe qytetarë të thjeshtë mundën gjithashtu t’i bënin homazhet e tyre ish-mbretit, me disa mijëra që u rreshtuan në radhë jashtë kishës.
Ndërkohë, nga familjet fisnike të pranishëm ishin: mbretëresha e Danimarkës, mbreti dhe mbretëresha e Holandës, familja mbretërore e Spanjës, si dhe monarkë nga Suedia, Luksemburgu dhe Monako.
Familja mbretërore britanike përfaqësohej nga princesha Anne, e bija e mbretëreshës së ndjerë Elizabeth-a e Dytë.
As Charles-i i Tretë, mbreti aktual i Britanisë dhe kushëri me mbretin grek dhe as princi William, që ishte famull i Konstandinit të Dytë, nuk ishin të pranishëm.
Edhe kryeministri grek Qirjakos Micotaqis dhe as presidentja e vendit nuk morën pjesë në ceremoni, duke e lënë përfaqësimin e qeverisë nga zëvendës kryeministri dhe ministrja e Kulturës.
Varrimi i ish-mbretit shkaktoi polemika, pasi qeveria greke refuzoi të mbante një funeral shtetëror për të. Kryeministri Micotaqis mbrojti lëvizjen duke thënë se monarku ishte lider i Mbretërisë së Greqisë, e cila nuk ekziston më.
LEXONI GJITHASHTU:
“Kosova e gatshme për marrëveshje”, zv.kryeministrja sllovene viziton Prishtinën
Fation Veizaj la mandatin e deputetit në Vlorë, kush pritet ta zëvendësojë