October 16, 2021

Perdja e re e hekurt

Shpërndaje lajmin

Vija e Teodosit, Perdja e Hekurt, Skizma e Madhe. Këto të gjitha janë krahasime historike shpesh të ekzagjeruara dhe të pabaza. Por ama në kontinentin evropian një ndarje e re është shfaqur dhe po forcohet vazhdimisht: nga njëra anë janë demokracitë liberale me shtetin e së drejtës ndërsa nga ana tjetër, regjimet hibride, gjysmëdiktaturat, oligarkitë, sundimi i gangsterit politik. Në cilën anë të gardhit dëshironi të jeni?

Kryeministri Rama dhe presidenti Erdogan gjatë takimit në Ankara në vitin 2015. Foto: Kryeministria.al

Nëse hapim hartat e dy mijë viteve të fundit, nuk është e vështirë të dallojmë ngjashmëri mes tyre.  Në vitin 395, perandori romak Theodosius vendosi ta ndajë perandorinë më dysh. [Link] Nga njëra anë doli ajo që më vonë u quajt Perandoria Bizantine, në anën tjetër, një mori shtetesh që përbëjnë historinë e “Evropës”. Nëse ke sy të fortë dhe e dallon hartën me vëmendje, ajo që sot përbën Shqipërinë, qëlloi të bjerë në Lindje. Dhe nëse shkojmë pak më tutje, në vitin 1054, Kisha Katolike Perëndimore dhe ajo Orthodokse Lindore i lanë duart me njëra-tjetrën duke krijuar Skizmën e Madhe. [Link] Ndërsa në vitin 1945, në në Jaltë të Krimesë, tre shtete fitimtare të Luftës së Dytë Botërore arritën në një pazar për të ndarë zonat e influencës, gjë që krijoi aty për aty të ashtuquajturën Perde e Hekurt dhe Luftë e Ftohtë. Edhe kësaj here, Shqipëria qëlloi nga ana e Lindjes.

Prej këtu mund të fillosh të aludosh mbi fat të paracaktuar dhe mallkim historik apo banalitete të tjera të ngjashme. Më 395 ramë në Lindje, fatkeqësi: më 1053, në mes, por gjithsesi më afër Lindjes se sa Perëndimit. Dhe më 1945, në Lindje sërish.

Një ndarje e re është shfaqur dhe po forcohet gjatë dekadës së fundit dhe Ballkani dhe Evropa Lindore gjenden sërish në mes. Nga njëra anë janë demokracitë liberale, me tipar thelbësor shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore të njeriut. Nga ana tjetër janë diktaturat dhe gjysmëdiktaturat, Lukashenko, Putini, apo Alievi, ku tipikja është mungesa e shtetit të së drejtës, dhunimi i herëpashershëm i të drejtave dhe lirive themelore, kontrolli i ekonomisë dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore për llogari të pushtetit.

Në mes të këtyre, pra regjimeve të tipit Lukashenko, Putin apo Aliev dhe demokracive perëndimore, ka një zonë gri, me shtete ku duket se ka një përplasje reale mes dy drejtimeve, ku demokracia liberale, shteti i së drejtës dhe të drejtat e njeriut janë në përballje me tendencën e kundërt.

Në Poloni e Hungari e Turqi, korrupsioni politik ka veshur petkun e nacionalizmit fetar ndërsa më në jug, në Rumani, Serbi, Shqipëri, Bullgari e Turqi, korrupsioni politik dhe krimi i organizuar duket sikur kanë përqafuar një lloj ideologjie të re. Mund ta quajmë këtë ideologji “post-Marksizëm”. Është si të thuash, kapitalizmi sipas leksioneve të komunizmit. Ky është një lloj kapitalizmi që thotë, “bëj gjithçka që ke mundësi të bësh për t’u pasuruar. Vidh, vrit, kurdo që të jepet rasti.” Nëse vdes apo bie në burg në përpjekje e sipër, vdekja nuk është dënim për çfarë ke bërë, por është një lloj aksidenti, një lloj fatkeqësie. Rreziku i kësaj fatkeqësie nuk përbën argument kundër sipërmarrjeve kriminale as në politikë dhe as në krim. Pra ia vlen të bësh çfarë të mundesh dhe është dobësi apo budallallëk të kesh skrupuj moralë sepse në kapitalizëm, siç na kanë mësuar gjatë kohës së komunizmit, nuk ekziston asnjë lloj morali, e mira e përbashkët është një gënjeshtër për naivët. Vjedhja shfaqet si një lloj superioriteti mendor.

Tipari i përbashkët i regjimeve të llojit Lukashenko dhe demokracive joliberale të llojit Orban apo Erdogan është gangsterizmi politik; politikëbërja e halabakut të lagjes, i cili rekrutohet nga politika për të dhunuar votuesit para se të dhunojë edhe politikën e të bëhet zot i vendit. Ne në Shqipëri kemi parë shumë nga ky lloji i gangsterizmit politik, veçanërisht në zgjedhjet e fundit, por vështirë se mund të thuhet se jemi përfundimisht të rënë në kategorinë e pjesës tjetër të Evropës Lindore.

Gjithsesi, është e qartë se ne tashmë gjendemi në këtë udhëkryq dhe dukshëm e kemi marrë në mënyrë shumë pasive këtë punë. Nëse shohim pasivitetin me të cilin shqiptarët po përballen sot me krimin dhe korrupsionin, (pa lënë mënjanë këtu një pjesë jo të vogël të popullsisë që nuk e konsideron mëkat as trafikun e qenieve njerëzore dhe as vjedhjen), mund të duket sikur historia na ka dënuar që të biem në Lindjen e “demokracive joliberale” apo regjimeve të llojit Lukashenko dhe ne jemi pajtuar me këtë fat. Por fakti është që duhet pak përpjekje nga njerëzit normalë të vendit për t’i thënë jo demokracive joliberale dhe regjimeve dhe për t’i thënë po demokracisë liberale. Dhe pyetja mbetet e vlefshme: në cilën anë të gardhit të ri të ndarjes së madhe botërore doni të jeni? Në anën e demokracive liberale, ku ekzistojnë dhe mbrohen të drejtat themelore të njeriut dhe ku ekziston shteti i së drejtës, apo në anën e demokracive jolibeale dhe diktaturave të shekullit të njëzet e një?


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *