Përdorimi i gazit, Inspektorati i Punës nuk parasheh kontrolle nëpër biznese

Share

Përdorimi i mjeteve të pasigurta në vendet e punës po rrezikon jetën e punëtorëve.

Nga dy shpërthimet e bombolave të gazit brenda dy javëve, njëra brenda një qendre tregtare dhe një tjetër brenda në një lokali gastronomie, ka shqetësuar Inspektoratin i Punës në vend, shkruan arbresh.info.

Agim Millaku, Zv.Kryeinspektor për Siguri në Punë ka thënë për portalin arbresh.info se këto bombola lejohen të përdoren por, që sipas tij po rrezikojnë jetërat e punëtorëve.

“Ky është shqetësim edhe i joni  sepse po përdoren mjete të pasigurta në vendet e punës, me të cilat mjete po rrezikohet edhe jeta e punëtorëve por jo vetëm, si në rastet që ju i cekët”, është shprehur Millaku.

Sipas tij, bombola me mbushje të gazit  përdoret si burim energjie për qëllimet e caktuara qoftë brenda ose jashtë objektit ku ushtrohet veprimtari e punës, prandaj si e tillë lejohet të përdoret.

Rreth kësaj, janë ngritur shqetësime se bombolat e gazit nuk përdoren siç duhet. Për këtë ka reaguar edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili ka thënë se është alarm për autoritetet lokale dhe qendrore.

“Dy shpërthime për një kohë kaq të shkurtër janë alarm për autoritetet lokale dhe qendrore për t’u vënë në krye të detyrës në inspektimin e lokaleve. Këso ngjarje tragjike që janë të shmangshme nuk mund të quhen thjesht fatkeqësi e nuk do të duhej të ndodhnin. Shteti është mbikëqyrje e mirë”, ka shkruar Kurti ditë më parë në Facebook.

Dy shpërthime të bombolave të gazit, njëri brenda një qendre tregtare dhe një tjetër në një lokal gastronomie, kanë ndodhur në Kosovë brenda një jave. Incidenti i parë nga shpërthimi i bombolës së gazit ndodhi në një qendër tregtare në magjistralen Prishtinë-Ferizaj të martën e 29 dhjetorit 2020. Shpërthimi lëndoi 15 persona.

Ndërkaq, një shpërthim i një bombole të gazit ndodhi të mërkurën në një lokal gastronomie në Ferizaj. Nga shpërthimi u lënduan mbi 40 qytetarë./arbresh.info/


Share

Komente