Perëndimi duhet të shqyrtojë kërkesat e Rusisë për sigurinë, thotë Macron
Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se Perëndimi duhet të shqyrtojë nevojën e Rusisë për garanci sigurie nëse Presidenti Vladimir Putin pranon të ulet në negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Macron u shpreh se Evropa duhet të përgatisë arkitekturën e saj të ardhshme të sigurisë.
“Kjo do të thotë se një nga pikat thelbësore që duhet të trajtojmë – siç ka thënë Presidenti Putin është shqetësimi i Moskës se NATO-ja do të arrijë në kufijtë e saj dhe dislokimi i armëve që mund të kërcënojnë Rusinë,” theksoi ai.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara thanë këtë javë se janë të hapura për bisedime në parim, megjithëse presidenti amerikan Joe Biden tha se ai do të bisedonte me presidentin rus vetëm nëse shefi i Kremlinit shfaqte interes për t’i dhënë fund luftës.
Ukraina thotë se negociatat janë të mundshme vetëm nëse Rusia ndalon sulmet dhe tërheq trupat e saj.