Përfaqësuesit e Reçakut të indinjuar me Vjosa Osmanin: Presidenca nuk organizoi asgjë për 22-vjetorin e masakrës

Share

perfaqesuesit e recakut te indinjuar me vjosa osmanin presidenca nuk organizoi asgje per 22 vjetorin e masakres

22 vite bëhen nesër që prej forcat serbe hynë në Reçak për të vrarë rreth 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Presidenca e Kosovës çdo vit kishte marrë nën patronatin e saj organizimin e akademive përkujtimore dhe aktiviteteve të tjera për shënimin e kësaj date shumë të rëndësishme në kalendarin historik të Kosovës. Sidoqoftë, këtë vit nuk do të jetë njësoj, pasi që u.d e presidentit, Vjosa Osmani, nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për ndonjë organizim.

U.D e presidentit, Vjosa Osmani e ka neglizhuar organizimin e ndonjë eventi për shënimin e 22 vjetorit të masakrës së Reçakut. Kësi lloj organizime në të kaluarën gjithmonë ishin zhvilluar nën patronatin e presidencës, mirëpo që njëjtë nuk do të ndodhë edhe këtë vit, kur në krye të presidencës është Vjosa Osmani, shkruan lajmi.net.

Në lidhje me këtë fakt, të indinjuar janë shprehur banorët e Reçakut.

Përfaqësuesi i fshatit, Adem Ramadani, në një prononcim për lajmi.net, është shprehur i zhgënjyer me faktin se presidenca ka neglizhuar një datë kaq të rëndësishme.

Ai ka thënë se për 15 janarin nuk e kanë parë të nevojshme të bëjnë kërkese në presidencë për organizimin e diçkaje, pasi që sipas tij nuk e ka menduar se presidenca do të sillet në këtë formë.

“Unë nuk e di që ka nevojë për 15 janar me kërku diçka. Për Prekazin e Reçakun nuk pritet kërkesë. Ai që pret kërkesë e quaj nivel shumë të ulët. 15 janari botërisht dihet e le më mos ta dijë ushtruesja e detyrës. Unë nuk e kam ditur që do ketë neglizhencë, bile kam pritë deri më 14 janar nuk kam bërë postim. E kemi bërë më herët, banorët e fshatit i kemi njoftuar për agjendën”, ka thënë ai.

Madje Ramadani thotë se as nuk është përmendur ky fakt.

“Deri më 14 janar kam pritë mos po ka ndonjë agjendë presidentja por jo. Bile së paku me thanë që situata e pandemisë dhe s’mundemi me marrë pjesë në akademi ose diçka, edhe kaq. Mu më ka habit fakti që asnjë e përmendme nuk është bërë deri tash se le më me pas diçka të organizume prej presidentes”, ka thënë ai.

Ramadani për lajmi.net ka thënë se organizim për këtë datë ka bërë veç komuna.

Ai shton se nuk do të ketë akademi përkujtimore, mirëpo që homazhet do të vazhdojnë secili në mënyrë personale.

“Pra s’ka tubime dhe ne e kuptojmë situatën”, ka thënë në fund Ramadani.

Më herët gjatë ditës kryesia e Fshatit ka lëshuar edhe një reagim, duke akuzuar presidencën se shkaku i angazhimeve me zgjedhjet, po e lë në harresë një datë të shënuar.

“Ka disa vite që organizimin e përkujtimit të 15 Janarit 1999 për Masakrën e Raçakut e ka marrë nën patronatin e vet Presidenca e Republikës së Kosovës, por si duket këtë vit Presidenca është duke u marrë ma shumë me zgjedhjet parlamentare duke e lënë anash një ngjarje e cila është ndër ngjarjet më të rëndësishme të vendit tone”, thuhej ndër të tjera në reagim.

Masakra e Reçakut në rendin e ngjarjeve historike ka një peshë shumë të madhe, pasi që konsiderohet si një ndër ndodhitë e cila ua hapi sytë ndërkombëtarëve për atë që po ndodhte në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Ish-ambasadori i OSBE-së në atë kohë, William Walker këtë akt makabër të forcave serbe e kishte quajtur krim kundër njerëzimit, nga ku edhe kishte kërkuar intervenim ndërkombëtar. /Lajmi.net/


Share

Komente