Përkujtohet 20 shkurti i vitit 1991/ Olli: Sot pas 30 vitesh, diktatura na sundon sërish

Share

20 shkurti 1991 ka hyrë në historinë e Shqipërisë si dita e shembjes së simbolit të diktaturës, shtatores së Enver Hoxhës në qendër të Tiranës.

Në këtë ditë të shënuar ka reaguar dhe anëtari i Bordit Drejtues të Bindjes Demokratike, Leonard Olli, i cili shkruan se në këtë përvjetor të 30 të kësaj kryengritje madhështore, diktatura na sundon sërish me metoda më të sofistikuara në formë.

Sot më shumë se kurrë ne duhet të ndalim neodiktaturat dhe të mundësojmë që data 28 Shkurt të mos jetë një çast në histori, por një simbol që ti kujtojë kujtdo se nuk mund të vidhet liria e një kombi, shton ai.

20 Shkurti i vitit 1991 dhe në vijim do të mbetet një datë shumë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë.

Sado që në këto 30 vite e përdorën, e keqpërdoren e pastaj po tentojnë ta kalojnë në harresë e zhvlerësim të saj, ajo do të shkëlqejë dhe do të frymëzojë shumë më shumë brezat që vijnë, ndërkohë që Zotat e rremë edhe pse me pak vonesë do të ndëshkohen dhe harrohen! Sot, duhet të ishte një ditë sa përkujtuese aq edhe festimesh! Është një datë dhe ditë kur shqiptarët, edhe pse ndër të fundit në Europë, ngritën krye, guxuan dhe vranë frikën! Diktatura mes tërbimit dhe frikës nuk e kurseu dhunën e plumbat, ndërsa mijëra qytetarë të Tiranës rrëzuan simbolin e diktaturës, shtatoren e diktatorit Hoxha dhe e zvarritën gjithë përbuzje e mllef drejt Qytetit Studenti, ku studentet greviste po vetfilojoheshin në emër të së drejtës për të qenë të lirë.

Edhe pse sot, në këtë përvjetor të 30 të kësaj kryengritje madhështore, diktatura na sundon sërish me metoda më të sofistikuara në formë, heronjtë e heshtur të asaj ditë mbeten në piedestalin e vlerava dhe historisë së kombit! 30 vite më pas, një diktaturë e re, Diktatura e Urisë, si forma me e evoluar e diktatures së proletariatit ka kapluar vendin. Një frikë e re, ajo pasigurisë për punën e jetën, për bukën e gojës po i gjunjëzon heshturazi shqiptarët që ende nuk po kuptojnë se po jetojnë nën një zgjedhën të re. E nëse 30 vite më parë, të rinjtë e asaj kohe e jo vetëm, vranë frikën për jetën, ne të gjithë sot kemi detyrimin madhor të ngrejmë krye jo thjesht për vete, por edhe në emër të së ardhmes së Shqipërisë dhe brezave që vijnë!

Sot më shumë se kurrë ne duhet të ndalim neodiktaturat dhe të mundësojmë që data 28 Shkurt të mos jetë një çast në histori, por një simbol që ti kujtojë kujtdo se nuk mund të vidhet liria e një kombi! Se kushdo që guxon ta bëjë këtë do të ketë një fund më të hidhur se ata që në mënyrën më tinëzare, na vranë shpresat në emër të popullit! Dhe nëse po ndodh apo do të ndodhë, atëherë ka një fajtor dhe vetëm një, NE!”


Share

Komente