Përmbytje në shumë komuna të Kosovës, qytetarët paralajmërojnë pasoja të mëdha

Share

permbytje ne shume komuna te kosoves qytetaret paralajmerojne pasoja te medha

Shiu i furishëm ka shkaktuar vërshime në qytetin e Rahovecit dhe në rrethinë, për pasojë disa fshatra kanë mbetur të bllokuara. Në fshatin Fortesë shihen oborre dhe rrugë të vërshuara nga uji.

“Nëse vazhdojnë edhe për dy ditë këto të reshura do të ketë pasoja shumë të mëdha. Për momentin disa rrugë na janë dëmtuar mjaft shumë”, shprehet qytetari Bejtullah Kelmendi.

Vërshime të tilla janë paraqitur edhe në Komunën e Malishevës. Disa rrugë janë bërë pothuajse të pakalueshme.

“Gjendja momentale është e rëndë. Jemi të rrezikuar që uji të depërtojë edhe në lokale. Sa herë të ndodhin vërshime gjendja gjithmonë keqësohet”, shprehet qytetari Shemsedin Krasniqi.

Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paqarizi, ka thënë për RTV Dukagjinin se ekipet kanë dalë në terren dhe po mundohen të sanojnë gjendjen.

“Gjendja momentalisht është e rënduar për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe borës, pasi lumi Mirusha dhe disa degë të saj tashmë kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje. Gjendja mund të them se është e manaxhueshme dhe të gjitha ekipet emergjente kanë dalë në terren duke tentuar të mbajnë nën kontroll situatën”, thotë Paqarizi, përcjell Telegrafi.

Edhe në Gjakovë është raportuar për dëme të konsiderueshme si pasojë e vërshimeve.

Vehat Hoxha, drejtor i Emergjencave në Komunën  e Gjakovës ka thënë se gjendja më e rëndë është në fshatra.

“Momentalisht gjendjen e kemi stabile. Lumenjtë nuk kanë dalë nga shtrati, por problemin e kemi te bllokimi i kanalizimeve dhe kanalet e të reshurave atmosferike për shkak të ndërtimeve që janë bërë gjatë kohëve të fundit. Gjendja më e rënduar është në fshatrat e Rekës së Keqe”.

Vërshime janë raportuar edhe në Komunë e  Suharekës por që atje gjendja duket më e qetë. /Telegrafi/

 


Share

Komente