April 19, 2021

Përmbytjet e janarit vënë në vështirësi fermerët në Lezhë

Shpërndaje lajmin

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative.

Fushat në zonën e Torovicës në Lezhë ishin të përmbytura për rreth 20 ditë në janar duke kalbur dhjetëra hektarë të mbjella, por fermerët ankohen se pas dy muajsh nuk është bërë vlerësimi i dëmit, ndërsa ata kanë humbur prodhimet e një viti.

Baldren, fermere

Age Gjoni, fermere nga Balldreni i Lezhës | Foto : Elvis Hila

Age Gjoni, nga Balldreni i Lezhës, e prodhon vetë grurin për bukën e familjes. Ajo kishte mbjellë tre dynym tokë në Fushë të Torovicës me grurë dhe me atë shpresonte të siguronte bukën për gjithë vitin. Por përmbytjet e fillimit të janarit i kanë kalbur të mbjellat.

Gruaja e ve që jeton vetëm me dy vajzat thotë se pa ndihmë ajo rrezikon të mbetet pa bukë.

“Kam marr lek borxh për tu punuar tokën,” tha Age Gjoni. “Mbolla grurë për të siguruar bukën e përditshme por gjithçka u shkatërrua nga përmbytja,” shtoi ajo.

Age Gjoni thotë se mosinteresimi dhe mungesa e shpresës për dëmshpërblim e ka vënë në një pozitë shumë të vështirë.

“E vetmja e ardhur për familjen tonë është puna në sektorin e bujqësisë,” tha ajo.

Ngjashëm me Agen dhjetëra fermerë nga qarku i Lezhës janë vënë në vështirësi nga dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në tokat e tyre bujqësore.

Reshjet e dendura të shiut në javën e parë të janarit përmbyten 4500 hektarë tokë në Qarkun e Lezhës. Tokat më të prekura ishin Fusha e Zadrimës dhe ajo e Torovicës – dy zona me rendiment të lartë në bujqësi, sektor në të cilin e kanë të lidhur jetesën qindra familje.

Sipas Institutit Komëbtar të Statistikave, INSTAT, në qarkun e Lezhës mbillen mesatarisht ccdo vit 24 mijë hektarë tokë bujqësore, kryesisht me foragjere, drithëra, grurë dhe misër.

Pas përmbytjeve kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu fajësoi ndër të tjera edhe OSHEE-në për përmbytjet, duke e akuzuar se nuk kishte furnizuar me energji elektrike hidrovorët.

“Kjo ka ardhur dhe nga mos funksionimi i hidrovorëve për shkak të mungesës së energjisë elektrike gjatë natës dhe kjo është e pafalshme për OSHEE,” tha Pjerin Ndreu në 8 janar në një komunikim për mediat.

Por megjithë akuzat asnjë institucion nuk ka marrë përgjegjësi për përmbytjet.

Bashkia Lezhës, në një përgjigje zyrtare i tha BIRN se me vendim të kryetarit në këtë rast “verifikohen, vlerësohen dhe dëmshpërblehen, vetëm dëmet në objektet e banimit.”

Fushë me grurë të kalbur nga përmbytjet | Foto : Elvis Hila

Ndërkohë i pyetur nga BIRN për këtë çështje specialisti i Emergjencave Civile në Prefekturën e Lezhës, Ndrek Mhillaj u shpreh se ishte detyrë e bashkisë për të verifikuar dëmet e më pas përmes prefekturës dosjet dërgohen për kompensim në ministrinë e linjës.

Për shumë fermerë të zonës përfshi ata që kanë investuar në toka me qira, mos konsiderimi i dëmeve nga përmbytja mund të sjellë falimentim.

Pal Ndoci, i cili thotë se ka 400 dynym tokë bujqësore në përdorim në këtë zonë, një pjesë të së cilës e ka marrë me qira. Ai ankohet se ka humbur prodhimin e 80 dynymëve jonxhë dhe 23 dynym grurë nga përmbytjet.

“Unë kam në përdorim 400 dynym tokë bujqësore në këtë zonë, pjesën më të madhe e kam marr me qira dhe paguaj 7 milionë lekë në vit,” shpjegoi Ndoci.

Fermeri thotë se ka pësuar dëm financiar të madh, ndërsa i duhet të blejë ushqimin për bagëtitë për shkak të shkatërrimit të të mbjellave. “

Unë mbaj shumë bagëti, pasi me këtë punë jetoj, por kjo situatë po më çon drejt falimentimit,” tha Ndoci. “Më mirë të themi që kam degraduar,” shtoi ai.

Ndoci thotë se pas përmbytjes asnjë nga institucionet vendore nuk është interesuar për dëmet që ata kanë pësuar.

Pasojat e përmbytjeve të janarit të këtij viti janë ende të pranishme në Fushën e Torovicës në Lezhë, e cila ishte një ndër zonat më të prekura. Në toka ka ende pellgje me ujë dhe duket shkatërrimi në të mbjella që ka lënë pas përmbytja.

Rrugë të permbytura në fshatin Blinisht, pranë Lezhës | Foto : LSA

“Këtë vit përmbytja ka qenë shumë e madhe, duke na sjell mjaft dëme”, thotë Gëzim Dushku, por ai nuk po pret vlerësuesit e dëmit, pasi thotë se asnjëherë nuk kanë shkuar.

Në raportin e dërguar në Ministrinë e Bujqësisë nga drejtoria e Bujqësisë në Qarkun e Lezhës është raportuar për dëme në të mbjellat me grurë e jonxhë, por aty nuk janë përllogaritur dëmet në terren dhe as është thënë nëse do të ketë apo jo kompensim.

Dushku thotë se do ishte më mirë që shteti tu thoshte të largoheshin dhe të mos gënjenin veten duke u marrë me bujqësi aty.

“Jemi përmbytur dhe herë të tjera dhe askush nuk na ka dhënë asnjë qindarkë,” përfundoi ai.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *