Përmbytjet në Kosovë, Osmani viziton disa komuna të prekura

Shpërndaje lajmin

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet intensive, ka vizituar komunën e Klinës, Skënderaj dhe Mitrovicë.
Në takim me kryetarët Zenun Elezaj, Fadil Nura dhe Bedri Hamza, presidentja Osmani ka theksuar se që nga mbrëmë ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet e sigurisë dhe në këtë kontekst ka vlerësuar angazhimin e strukturave komunale dhe institucioneve emergjente për të ndihmuar qytetarët dhe për t’i minimizuar dëmet në ekonomi familjare.
Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet.
Osmani ka vizituar biznese dhe ekonomi familjare, të cilat kanë pësuar nga vërshimet. Në këtë frymë, Presidentja ka kërkuar nga strukturat e sigurisë dhe të emergjencave, të angazhohen maksimalisht për t`u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për t`i zvogëluar pasojat e krijuara nga kjo situatë e jashtëzakonshme.
“Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë”, është shprehur presidentja Osmani.
Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani në të tri komunat ka ofruar mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, ndaj nevojitet angazhim dhe solidaritet i të gjithëve në një situatë të tillë./Kosovapress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *