Përsëritet rasti i Hamdi Salihit në Kategorinë e Dytë, futbollisti i gris kartonin arbitrit

Share

Albpetroli dhe Maliqi ka qenë një ndeshje shumë e fortë dhe me polemika, por miqtë ia dolën të dilnin me tri pikë nga stadiumi “Alush Noga”. Ndeshja nisi e bukur me të dyja ekipet, që kërkonin të kapnin në befasi njëratjetrën. Në minutën e 20-të Mehmetaj pati një rast të artë, teksa i vetëm përballë Lamellarit gabon.

Në momentin më të mirë të vendësve, Maliqi godet Albpetrolin në minutën e 34-t, ku Kame përfiton nga një vendosje e gabuar dhe kalon në epërsi miqtë. Në pjesën e dytë loja përqendrohet në mesfushë, ndërsa rastin më të pastër e ka Hatia në minutën e 60- të. Albpetroli kërkon me ngulm golin, por pas minutës së 75-të ka tension në fushë.

Pas rrëzimit të Ballës në zonë, patosarakët pretendojnë një penallti, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Spahiu. Protestat e patosarakëve janë të ashpra dhe arbitri nxjerr me të kuq njëri pas tjetrit lojtarë si Hatia, Gropa dhe Muhametaj.

Ky i fundit, duke debatuar me arbitrin, i gris edhe kartonin, duke rikthyer në skenë atë që bëri Hamdi Salihi në vitin 2017 në ndeshjen Kukësi-Skënderbeu 2- 0. Nuk shpëtoi nga kartoni i kuq as trajneri Dushi. Albpetroli mbeti me 8 futbollistë në fushë, por sërish kërkoi të barazonte, madje pati një rast me Xhoxhajn.


Share

Komente