November 28, 2021

Përtej politikës: Djali i Presidentit

Shpërndaje lajmin

Nga Linda Karadaku

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç shpesh herë paraqitet në publik si viktimë, duke theksuar se edhe familja e tij bën sakrifica të mëdha për shkak të punës së tij. Danilo Vuçiç së fundmi është vlerësuar nga i dënuari për krime lufte Dragan Vasiljkoviq, i njohur me pseudonimin Kapiten Dragan, sepse prej tij ka marrë 30 mijë dollarë, një veturë dhe një apartament.

“U mblodhën disa serbë që nuk i njoh, mblodhën një thes me para, të cilat ma dhanë në kufi. Më dhanë rreth 30 mijë dollarë, çelësat e makinës dhe çelësat e një apartamenti 45 metra katrorë. Nuk ka qenë nga buxheti, të jemi të qartë. Në të ka marrë pjesë djali i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe fansat e Zvezdës… Ata janë vërtetë patriotë. Ju mund ta shikoni drejt në sy secilin prej tyre që ishte atje dhe të shihni një patriot të vërtetë. Faleminderit shumë për këtë”, tha kapiten Dragan.

Lidhjet mes Vuçiçit të ri dhe grupeve të tifozëve nuk janë të panjohura, ashtu siç nuk është e re që shumë prej këtyre grupeve të tifozëve veprojnë si organizata mafioze të udhëhequra nga kriminelë. Vitin e kaluar gazetares së portalit investigativ KRIK iu konfiskua celulari pasi fotografoi Danilo Vuçiçin në shoqërinë e Aleksandar Vidojeviçit, i quajtur Aco Roshavi, një huligan i afërt me klanin kriminal Kavaç dhe dyshja ndoqën një derbi futbolli mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit në një kafene në qendër të Beogradit.

Kjo nuk është hera e parë që Danilo gjendet në shoqërinë e anëtarëve të klanit të Kavaçit, një grup kriminal që prej vitesh është në luftë me një grup tjetër kriminal, klanin Shkaljar. Vuçiçi junior dhe Aco Roshavi janë fotografuar së bashku për herë të parë në vitin 2018. Vuçiç, me ndihmën e mediave në favor të tij, e ka paraqitur të gjithë këtë si sulm ndaj familjes së tij.

“Sigurisht, ne e dimë se me kë ka qenë djali im, çdo kontakt i tij me këdo është i regjistruar qartë”, tha Vuçiç dhe theksoi se Aco Roshavi është tifoz i Partizanit. “Djali im Danilo është një i ri i ndershëm dhe i denjë. Ai është fajtor vetëm sepse është djali im”. Sipas Vuçiçit, Danilo punon në një dyqan në Vraçar të Beogradit për një pagë prej 550 eurosh. Ai dëshiron të bëhet kuzhinier dhe verën e ka kaluar në Greqi.

Vuçiç ka theksuar edhe se Danilo e ka pasur të vështirë të përballojë divorcin e prindërve. Emri i Danilo Vuçiç filloi të përmendet sërish në publik pas arrestimit të grupit kriminal të famëkeqit Veljko Belivuk, i njohur më mirë si Velja Nevolja. Vuçiç theksoi se grupi po përhapte gënjeshtra për djalin e tij, të gjitha për të sulmuar atë vetë.

Arrestimet e reja javën e kaluar sollën edhe spekulime të reja në publikun serb. Pasi ish-zyrtarja e lartë e ministrisë së brendshme serbe, Dijana Hrkalović, u arrestua për shkak të lidhjeve me grupin Velja Nevolje, filloi të përmendet përsëri emri i djalit dhe vëllait të Vuçiçit, përkatësisht Danillo dhe Andrej. Një pjesë e mediave në Serbi paralajmërojnë se ngritja e Dijana Hrkaloviç-it filloi me ardhjen e Vuçiçit në pushtet dhe se ajo sigurisht që është një grua që “di shumë”. Në seancën e Velja Nevolja dhe grupit të tij u dëgjua se ata ishin në shërbim të presidentit Vuçiç.

Pjesa e medias që nuk është e lidhur me regjimin e Vuçiçit thekson se arrestimi i Hrkaloviçit është vetëm një maskim për të mbuluar aferën shumë më të madhe të Jovanjicës. Çështja Jovanjica e mori këtë emër pas zbulimit të një plantacioni marihuane në atë pronë bujqësore, e cila dyshohet se është në pronësi ose të paktën nën kontrollin e vëllait të Vuçiçit, Andrej. Sigurisht që presidenti serb luajti sërish viktimën dhe çdo gjë e quajti sulm ndaj familjes së tij.

“Nuk do të lejoj që t’ua prishni jetën fëmijëve të mi. I dua Danilon, Milicën dhe Vukanin. I dua më së shumti në botë. Sa për mua, lufta le të vazhdojë pa ndërprerë, por unë nuk do t’i prek fëmijët tuaj. Dhe sa për ju, unë do të fitoj më bindshëm se kurrë!”, ka shkruar ai në Instagramin e tij. Djali i Vuçiçit është parë dhe fotografuar në afërsi të grupit të Veljko Belivuk, në restorante, në ndeshje, dhe tani Vuçiç po mbron familjen e tij, sepse Velja Nevolja është bërë më i fortë – thotë Miroslav Aleksiç, nënkryetar i Partisë Popullore.

Prej më shumë se një muaji, arrestimi i Veljko Belivuk, i njohur në media dhe popull si Velja Nevolja dhe një grup prej 16 personash të tjerë, ka qenë kryefjala e mediave, veçanërisht e tabloideve. I ashtuquajturi drejtues i grupit të tifozëve “Jeniçerët”, që më vonë u quajt “Principe”, sigurisht me emrin Gavrilo Princip, dhe pjesa tjetër e grupit dyshohen për vrasje, rrëmbime dhe trafik droge.

Si mbulesë shërbeu dashuria e tyre për FC Partizanin, në stadiumin e të cilit kishin edhe një nga “strehat” e tyre të sigurta. Në atë bodrum u arrestuan 15 persona. Që nga dita e arrestimit të tij më 4 shkurt, tabloidët kanë garuar për të vërtetuar mizorinë e këtij grupi, duke publikuar detaje të aktiviteteve kriminale. Një nga pyetjet kryesore është – mbështetjen e kujt kishte Belivuk? Portali hulumtues KRIK shkroi për të në vitin 2017, kur Belivuk u arrestua nën dyshimin për vrasjen e Vlastimir Millosheviçit.

Vrasja lidhej me vrasjen e Aleksandër Stankoviçit, i njohur si Sale Mutavi, i cili deri në vrasje ishte miku i ngushtë i Belivuk dhe drejtuesi i grupit kriminalo-tifoz të Partizanit. Stankoviç u dënua për shitje të lëndëve narkotike, por gjykata vazhdimisht ia shtynte dënimin me burg. Në shoqërinë e këtij grupi interesant është parë shpesh Danilo Vuçiç. Edhe kur njëri prej tyre, Aleksandar Vidojeviç, i quajtur Aca Roshavi – me të cilin Danilo Vuçiç ishte ndoshta në marrëdhëniet më të ngushta, u arrestua si pjesëtar i këtij grupi Belivuk, djali i Vuçiçit, Daniloja i ri, nuk mund të shkëputej prej tij./ Abcnews.al


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *