September 25, 2021

Pjesëmarrja në votime shënon rritje masive veçanërisht në Tiranë, Durrës e Elbasan

Shpërndaje lajmin

Të dhënat e pjesshme të orës 14 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sugjerojnë se dhjetëramijëra shqiptarë po votojnë më shumë në zgjedhjet parlamentare në krahasim me katër vjet më parë. Tirana, Durrësi, Fieri e Vlora shënojnë rritjen më të madhe.

Pjesëmarrja në votimet e së dielës në Shqipëri duket se ka pësuar një rritje të konsiderueshme në krahasim me katër vjet më parë ndërsa dhjetëramijëra vota shtesë që mund të hidhen deri në orën 7 kur mbyllen kutitë e votimit sugjerojnë se qytetarët janë shumë më të angazhuar apo të shqetësuar sot nga sa ishin zgjedhjet e kaluara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se të dhënat e pjesshme të raportuara nga qendrat e votimit, rezulton se 36% e votuesve janë paraqitur dhe kanë votuar deri në orën 14. Të dhënat e grumbulluara paraqesin rezultatin e afro 1800 qendra votimi nga 5,200 në total dhe ndonëse nuk janë drejtpërsëdrejti të krahasueshme me të dhëna të ngjashme nga viti 2017, pjesëmarrja këto zgjedhje duket shumë më e lartë.

Pjesëmarrja duket veçanërisht e lartë në Qarkun Tiranë dhe akoma më shumë, në territorin e Bashkisë Tiranë. Deri në orën 14, pjesëmarrja në qark ishte 39.6%, ku në bashkinë Tiranë ishte 41 ndërsa në bashkitë e tjera më të vogla ishte më e ulët. Pjesëmarrja në rang vendi rezulton gjithsesi më e ulët se sa më 2013, por për qytetin e Tiranës duket se i afrohet shumë.

Komisioneri i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi deklaroi se përdorimi i pajisjeve të identifikimit elektronik ka funksionuar në rregull në shumicën dërrmuese të qendrave të votimit me përjashtim të 144 të tillave ku ato nuk kanë funksionuar. Në këto qendra është kaluar në identifikimin e zakonshëm vizual të votuesve. Vetëm në një qendër votimi në fshatin Lekbibaj nuk ka nisur procesi i votimit për shkak të mosmarrëveshjeve mes komisionerëve.

Kjo është hera e dhjetë që Shqipëria shkon në zgjedhje parlamentare përgjatë historisë së trazuar të tranzicionit. Aktualisht janë rreth 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote por vlerësohet se rreth 1.5 milionë janë aktualisht jashtë vendit.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2013 ishte 53% ndërsa më 2017 ishte 47%.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *