April 14, 2021

Plagosja e minatorit, procedohen penalisht tekniku dhe brigadieri i Albchrome

Shpërndaje lajmin

Tekniku dhe brigadieri i kompanisë Albchrome në minierën e Bulqizës, u proceduan penalisht në gjendje të lirë nga policia pasi një ditë më parë një minatorë u plagos në galeri.

Minatori i plagosur dergohet me helikopter ne Tirane

Policia e Dibrës njoftoi se kishte filluar procedim penal ndaj tekniku dhe brigadieri i kompanisë Albchrome në minierën e Bulqizës pas një aksidenti në të cilin mbeti i plagosur një minatorë.

Policia njoftoi se personat e proceduar penalisht kishin për detyrë kontrollin e gjendjes teknike të galerisë dhe kanë neglizhuar punën. “A. D., 53 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë teknik sektori në një subjekt minerar. F. K., 48 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë brigadier, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, thuhet në deklaratën e policisë.

Kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës, në një deklaratë për mediat pas aksidentit të djeshëm, fajësoi për pakujdesi minatorin e plagosur.

“Fadroma që po manovronte brenda në minierë ka dëmtuar strukturën armatike kuadratike me profile metalike, në zonën e Qafë Buallit. Si pasojë e kësaj pakujdesie është lënduar fadromisti E.B. Menjëherë, fadromisti i lënduar është shoqëruar për në spitalin e Tiranës, pasi i është dhënë ndihma e parë nga ekipi avaro-shpëtues dhe mjekësor në minierë”, thuhej në reagimin e Albchrome.

Në një deklaratë për shtyp, Sindikata e Bashkuar e Minatorëve të Bulqizës deklaroi se heshtja e institucioneve ndaj aksidenteve po i kthente minierat në kurthe vdekjeje.

“Që prej 2019, si SMBB kemi luftuar që jeta e punëtorëve të jetë sa më e sigurt, por shfrytëzimi pa kriter i pronarëve dhe heshtja shtetërore po i kthen këto miniera në varre masive,” tha Sindikata.

“U kërkojmë institucioneve përkatëse të hetojnë ngjarjen deri në fund dhe i urojmë vëllait tonë, minatorit Edi Beka, shërim sa më të shpejtë,” thuhet në deklaratë.

Ky është aksidenti i gjashtë në tre muajt e parë të këtij viti në galeritë e Albchrome, ndërkohë që vetëm tre aksidente ishin raportuar gjatë gjithë vitit 2020.

Pesë të vdekur dhe 28 të plagosur u raportuan gjatë vitit 2020 vetëm në minierat e kësaj zonë. Ndërkohë në fillim të vitit 2021 një person humbi jetën në galeritë e kontrolluara nga kompania “KACI – IF – 2012” shpk.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *