Plagosja e naftëtarit, gjykata cakton detyrim paraqitjeje për drejtuesin e sigurimit teknik

Shpërndaje lajmin

Gjykata e Fierit caktoi masën e  sigurisë “detyrim paraqitjeje” për Erion Alushaj shefi i sigurimit teknik pranë kompanisë Anio Oil, që akuzohet për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.

Policia në vendin e shpërthimit të nënstacionit të naftës. Foto:Valbona Davidhi

Gjykata e Fierit caktoi masën e  sigurisë “detyrim paraqitjeje” për Erion Alushaj shefi i sigurimit teknik pranë kompanisë Anio Oil.

40 vjeçari u arrestua të martën, një ditë pas shpërthimit të nënstacionit të pompimit në Qafë Kash ku mbeti i plagosur një naftëtar. Prokurori i çështjes, Çlirim Sina kërkoi që Erion Alushaj, të gjykohet me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” duke argumentuar se i arrestuari nuk është person me rrezikshmëri shoqërore dhe nuk rrezikon të prishë provat për hetimin.

Gjyqtari Taulant Banushi pasi dëgjoi pretendimet e palës mbrojtëse dhe prokurorisë vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Alushajt dhe caktoi masën e sigurisë së kërkuar nga vetë organi i akuzës.

Erion Alushaj po gjykohet si personi përgjegjës për aksidentin në sektorin e dekantimit të naftës në Qafë Kash. Alushaj është drejtues i sigurimit teknik pranë këtij sektori që administrohet nga kompania Anio Oil.

Prokuroria e Fierit po heton për “Shkelje të rregullave të sigurisë në punë” ndërsa naftëtari i plagosur ndodhet ende në spital. Viktor Balla pësoi djegie në pjesë të ndryshme të trupit ndërsa nga shpërthimi u shkatërrua pothuajse plotësisht nënstacioni i pompimit pranë depozitave të dekantimit.  Policia tha se në nënstacion shpërtheu një pompë centrifugale e më pas mori flakë një tubacion që transporton naftën në depozita.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *