Policia e Kosovës jep detaje për ndërhyrjen ku mbeti një polic i vrarë

0
Shpërndaje lajmin

Policia e Kosovës ka konfirmuar se pas një ndërhyrje në fshatin Banjskë në Leposaviq një polic ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur.
“Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar”, njofton policia.
Tutje bëhet e ditur se kanë hasur në rezistencë nga grupe e janë sulmuar edhe me zollë e granata dore.
“Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, sqarohet tutje në njoftim, shkruan albinfo.ch.
Ndërkohë bëhet e ditur se polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.
“Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *