Policia e Kosovës: Vriten dy sulmues, arrestohet një tjetër. Lëndohet dhe një polic
Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me situatën e krijuar në Veri.
Sipas njoftimit, bëhet e ditur se gjatë shkëmbimit të zjarrit janë vrarë edhe dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur.
Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.
“Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme”- njofton policia e Kosovës.
Gjatë veprimeve policore në një lokacion banimi i cili është përdorur nga sulmuesit, janë gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si arme dhe municion të kalibrave të ndryshëm.
Po ashtu njësitet policore gjatë ushtrimit të pikë kontrollit rutinë të automjeteve, në zonën e fshatit Rudare ka ndaluar katër persona të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale, ku të gjitha veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës vazhdon t’iu bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme.
Hetimet dhe ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet relevante, përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës.
LEXONI GJITHASHTU:
Varheyli: Dënoj sulmin kundër Policisë, ngushëllime familjes së policit të vrarë
Gërvalla kritika Borrell: Seriozisht e keni? Terroristët po vrasin policë, ju thoni…